Tifozet shkruajne - Merkatoja e janarit dhe tifozet
Tifozet shkruajne - Merkatoja e janarit dhe tifozet 02.02.2016 | 17:11

Më në fund u mbyll merkatoja e dimrit dhe drejtuesit arritën të fuqizojnë akoma më shumë Partizanin me afrimin e disa lojtarëve cilësorë: porta “freskohet” me një të ri si Dajsinani, në mbrojtje “goditjet” Atanda e Veliu blindojnë repartin më të mirë në kampionatin shqiptar për pjesën e parë të sezonit e në mesfushë afrohen një lojtar me vizion si Filipe Gomes dhe ish-futbollisti i kombëtares, Emiliano Vila. Në sulm, siç pritej me padurim nga shumë tifozë, i bashkangjiten dyshes Raçiç-Sukaj argjentinasit Agustín Gonzalo Torassa dhe Federico Nicolás Haberkorn. 
Deri këtu gjithçka në rregull. Ai që kishte për detyrë të merrej me merkaton e Partizanit, misionin e tij e çoi deri në fund e tani pritet përfundimi i sezonit për ti dhënë ose jo të drejtë lëvizjeve që kreu. Ajo që nuk kuptohet është sulmi i pandërprerë i një numri befasisht të madh njerëzish që vetëm shajnë e ofendojnë nëpër rrjetet sociale sa herë që nga klubi zyrtarizohet një lajm. Këta njerëz duhet të jenë simpatizues të Partizanit, meqë harxhojnë kohën e tyre duke “shfryrë” ndaj drejtuesve të klubit, por nuk besoj të jenë tifozë, pasi nga emrat e mbiemrat pjesa më e madhe e tyre kanë “mbirë” në forumet e tifozevë rishtazi.
Personalisht quaj tifozë të Partizanit atë grup njerëzish që u mblodhën bashkë të paktë në numër e që u bënë akoma më të shumtë në kohën kur ish-presidenti Xhani harroi që duhet të përgjigjej financiarisht karshi lojtarëve. Këta njerëz me sakrifica personale e me lek xhepi kontribuan për Partizanin duke sajuar kush autobusin për ndeshjet jashtë fushe (autobusin e lojtarëve jo për vete, këtu diskutohej mbijetesa), kush hotelin për grumbullimin e skuadrës, kush restorantin ku duhet të ushqehej ekipi e ndokush që i kishte mundësitë akoma më të mëdha, shpeshherë shpërblente lojtarët që po mbanin gjallë emrin e Partizanit në rast rezultatesh pozitive. Kjo periudhë nuk ishte e largët, nisi 7 vite më parë e vijoi kështu për 4 sezone rresht, por kush e ka kujtesën e dobët sot vjen e kritikon pa dallim çdo trajner e drejtues të Partizanit sa herë i teket. 
Kur Partizani kishte nevojë këta njerëz nuk ishin pranë Partizanit, sepse ishin të zënë duke parë futbollin e vërtëte, atë spanjoll apo anglez e italian, e se çfarë bëhej me fatet e Partizanit pak i interesonte. Mes një Villarreal-Real Zaragoza apo një Newcastle-Blackburn te llotoja e lagjes apo në streaming, e kishin harruar fare (çfarë ju thamë më lart për kujtesën e dobët) që Partizani endej në kategoritë më të ulta e nuk kishte shpresë rikthimi. Të paktën për këta njerëz, se ata të tjerët që nuk e lanë asnjëherë vetëm klubin (ishin po aty, duke u munduar të mbështesnin një grup çunash të veshur me të kuqe e që ushqeheshin me kek e kos frutash para ndeshjeve në Cërrik, Librazhd apo Kuçovë) nuk e humbën asnjëherë shpresën. 
E falë Zotit dhe njerëzve që nisën të investonin sërish për Partizanin këta tifozë patën shansin të shikojnë sërish në fushë për skuadrën e zemrës lojtarë me vlera si Alban Hoxha, Amir Rrahmani, Nderim Nexhipi e Mentor Mazrekaj. E kur Partizani sezonin e kaluar arriti të garojë denjësisht për titull e të fitojë dy ndeshje derbi, simpatizueso-kritikëve ju rikthye kujtesa dhe vendosën që sërish të ndjekin skuadrën. Jo në stadium jo, se “në Shqipni nuk ka kushte” e “ku shifen me sy kto mër” janë frazat që kanë gati. Thjesht aty te lloto lagjes ku rrinë, krahas Villarreal-Real Zaragoza e Newcastle-Blackburn, te njëri prej televizorëve transmetohen dhe ndeshjet e Partizanit. Kur kthehen në shtëpi pastaj ulen në kompjuter e fillojnë e “filozofojnë” për trajnerin, lojtarët, drejtuesit, presidentin e ndonjëherë edhe për tifozët që ndjekin skuadrën në stadium (këta të fundit janë po ata që shkonin në trasfertat e kategorisë së dytë në Cërrik, Librazhd e Kuçovë se të tjerë nuk janë shtuar). Ky muhabet zgjat tashmë prej dy vitesh e nuk i dihet a do ketë një fund. Partizani i këtij sezoni është më i forti që prej skuadrës kampione të vitit 1993 e këtë e tregojnë rezultatet: vendi i parë në renditje për kaq shumë javë rresht nuk përsëritej që prej asaj kohe. Megjithatë për simpatizueso-kritikët “Partizani nuk është akoma aty ku duhet”, “trajneri s’duket në terezi me skemat që përdor”, “drejtuesit janë të paaftë”, “presidenti duhet të largohet”. Dozën e bezdisjeve (sinonim më të përshtatshëm nuk arrij të gjej) të tyre e kanë shtuar ndjeshëm në këtë merkato janari. U fiksuan me sulmuesin e Laçit, James, dhe nuk lanë moment pa e përmendur sa herë që klubi zyrtarizonte afrimin e një lojtari të ri. Erdhi Torassa “merni Xhejmsin mër o t’marum se njeli tu ju bo gola”. Erdhi Vila “merni Xhejmsin mër çe doni kët t’marumin se e pamë vjet”. Erdhi Atanda “merni Xhejmsin mër se s’na duhen mrojca, na duhën lojtarë goli”. Erdhi Filipe Gomes “ku e gjetët kët mër po merni Xhejmsin”. Sikur drejtori Dervishi të blejë një kile patate për shtëpinë e vet simpatizueso-kritikët nuk do jenë dakord e do i shkruajnë “shko në Laç mër se presidenti Laçit ka ca patate tmira si Xhejms”. Të gjithë e dimë që niveli i futbollit tonë është ai që është e që një klub modern ka nevojë për një kompleks stërvitor të tijin, por kjo nuk duhet të na shndërrojë në kundërshtarë të Partizanit e njerëzve që punojnë pranë Partizanit. Fundja në Shqipëri, fatkeqësisht as shkollat e spitalet nuk funksionojnë ashtu si duhet…
Me fitoren që Partizani arriti në javën e parë të fazës së tretë ndaj Laçit, afrimet e merkatos treguan vlera. Vila shënoi golin e sigurisë, Gomes u paraqit mirë në mesin e fushës ndërsa Atanda “futi në xhep” kundërshtarin direkt, “të modhin Xhejms”. Në stadium ishin po ata pak njerëz që qëndrojnë përherë pranë skuadrës e që zbukurojnë tribunën tonë me koreografi nëpër derbi. Ato koreografi që simpatizueso-kritikët i mbajnë si foto profili (në shenjë krenarie) në adresat e tyre shpeshherë fallse. 
Nëse Partizani këtë sezon shpallet kampion nuk e di çdo bëjnë këta personazhe. Por një shprehje italiane (futboll të cilin e shohin në televizor kur luan Partizani) thotë: “Mos hipni në karrocën e fituesve”.

Andi Kasmi (Tifoz i Partizanit)

SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015