Tifozët në stërvitje, falënderojnë lojtarët për derbin
Tifozët në stërvitje, falënderojnë lojtarët për derbin 11.12.2014 | 15:43

Entuziazmi i fitores ndaj Tiranës ende nuk është shuar dhe në kampin e kuq është tema kryesore. Edhe pse trajneri Duro ka kërkuar nga lojtarët e tij që të harrojnë gjithçka dhe të përqendrohen te ndeshja e radhës, fitorja në një derbi dhe për më tepër me shumë lehtësi ka bërë që lojtarët të vazhdojnë të mendojnë për atë ndeshje.

Sidomos tifozët vazhdojnë të përjetojnë ndeshjen, duke qenë se në tribuna gara është shumë e fortë dhe fitorja e skuadrës në fushë jep edhe krenari për tifozët fitimtarë. Nuk duhet të harrojmë se Partizani ka pasur pothuajse 10 mijë tifozë në mbështetje të tij në derbin ndaj Tiranës, që u luajt të hënën në stadiumin “Qemal Stafa”. Grupimi “Ultras Guerrils” dhe tifozët e thjeshtë që ishin në shkallët e stadiumit kanë dhuruar spektakël gjatë 90 minuta duke festuar jo vetëm fitoren e derbit, por edhe trepikëshin që i dha kryesimin e kampionatit.

Një grup ultrasish të skuadrës së Partizanit, kanë qenë dje në kompleksin “Internacional” ne Pezë, ku skuadra e tyre ka zhvilluar stërvitjen e radhës. Pjesëtarët e grupimit “Ultras Guerrils”, kanë zhvilluar një takim të shkurtër me lojtarët dhe stafin teknik të skuadrës së tyre. Ata kanë falënderuar lojtarët për paraqitjen që kanë bërë në ndeshjen ndaj Tiranës dhe fitoren e arritur. Gjithashtu tifozët kanë kërkuar që futbollistët të japin maksimumin e tyre deri në fund të sezonit për të arritur edhe objektivin madhor, që është fitimi i titullit kampion. Përpara se të luhej derbi me Tiranën, tifozët kanë sfiduar kushtet e motit me reshje të dendura shiu dhe kanë qenë në Pezë për t’i treguar lojtarëve të tyre që ndeshja që ata do të luanin të hënën ishte shumë e rëndësishme veçanërisht për ta. Pas fitores së fundit, tifozët e kuq kanë nisur të mendojnë më shumë për fitimin e titullit kampion.

SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015