Zbardhen detajet e kompleksit, investim 200 milionë lek
Zbardhen detajet e kompleksit, investim 200 milionë lek 16.03.2016 | 15:25
Kontrata në mes të “demave” dhe Ministrisë së Ekonomisë është publikuar edhe në fletoren zyrtare të qeverisë. Në të parashikohen të gjitha detyrimet dhe përfitimet që ka ekipi i të kuqve, por edhe të gjitha fazat e projektit dhe ndërtimet në këtë ambient. “Demat” do të përfitojnë një hapësire prej 37 000 m2 ku sipërfaqe ndërtimore është 5 164.72 m2 dhe sipërfaqe funksionale është 31 835.28 m2. Në këtë zonë klubi ka të drejtë të punojë dhe të investojë, por edhe kjo brenda disa limiteve. Projekti i Partizanit është i ndarë në 3 faza dhe është i detyruar që të realizojë ndërtimin e projektuar për një fazë për një periudhë 12 mujore. Partizani në funksion të zhvillimit të aktivitetit, në territorin objekt i kësaj kontrate, do të investojë, si punime ndërtimore për rikonstruksion, ndërtime të godinave dhe ambienteve të tjera, blerje dhe vendosje pajisjesh, një vlerë totale prej 200 004 000 (dyqind milionë e katër mijë) lekë, sipas parashikimit për investimet dhe fazat e zhvillimit të tij, të shprehura në planbiznesin e paraqitur.
 
Faza e parë: Përmban një investim prej 86 016 000 (tetëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëmbëdhjetë mijë) lekësh, brenda 12 muajve nga data e marrjes në dorëzim do të realizohet: mobilizimi i kantierit dhe punime dheu për sistemimin e sipërfaqes së tokës; kanalizime të domosdoshme për realizimin e infrastrukturës të furnizimit me energji elektrike, të furnizimit me ujë dhe të kullimit të ujërave; rrugë kryesore ndihmëse e të brendshme; punime për realizimin e bazamentit dhe katit 1 të godinës së akademisë; krahu i punës për fazën e parë kap vlerën e investimit.
 
Faza e dytë: Me një investim prej 50 400 000 (pesëdhjetë milionë e katërqind mijë) lekësh, brenda 12 muajve nga data e mbylljes së fazës së parë do të kryhen këto punime: ndërtimi i fushave të stërvitjes, paneleve ndarës logjistika, ndriçimi; ndërtimi i strukturës beton/arme të godinës së akademisë.
 
Faza e tretë: Me një investim prej 49 000 000 (dyzet e nëntë milionë) lekësh, brenda 12 muajve nga data e mbylljes së fazës së dytë, pra deri në dorëzim të impiantit do të kryhen këto punime: përfundimi i godinës së akademisë së bashku me infrastrukturat e nevojshme, si instalimet e sistemeve të ngrohje ftohjes, ventilim aspirimit dhe impiantistika e pishinës së brendshme; realizimi i mobilimit të akademisë; realizimi i hapësirave të gjelbra dhe pika eshërbimit bar-bufe.
 
SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015