Sponsori i ri, rrjet spitalor nga Turqia
Sponsori i ri, rrjet spitalor nga Turqia 28.10.2014 | 14:00

Partizani duket se nuk do t’i ndahet sponsorëve turq dhe një gjë e tillë tashmë pranohet nga të gjithë. Ka qenë vetë presidenti Demi, që gjatë një darke që ka pasur me lojtarët e tij pas fitores me Elbasanin i ka bërë me dije se në klub do të vijë një kompani e cila do të jetë edhe sponsori kryesor. Demi nuk ka bërë që asnjë emër publik gjatë darkës, por “Sport Ekspres”, arriti të informohej se bëhej fjalë për një kompani turke e cila do të niste aktivitetin në vendin tonë.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme, burime të sigurta pranë klubit të kuq kanë konfirmuar se marrëveshja ka hyrë në rrugë të mbarë dhe bëhet fjalë për një kompani e cila ka një rrjet spitalesh të njohur në shtetin turk dhe shumë shpejt do të jetë edhe në vendin tonë. Përfaqësimi i kompanisë është parashikuar të bëhet në spitalin që është në pronësi të presidentit Demi, dhe kompani njëkohësisht do të bëjë edhe sponsorizimin te Partizani. Ende nuk mund të flitet për emrin konkret se cila do të jetë kompania, megjithatë zërat flasin për një prezantim të saj gjatë kësaj jave.

Kontrata

Të njëjtat burime, kanë konfirmuar se për momentin palët janë duke përcaktuar termat në kontratë në studion ligjore që po merret me këtë çështje dhe më pas do të vijnë edhe firmat përfundimtare që sipas të gjitha gjasave do të bëhen publikisht, siç u veprua me ish-sponsorin e përgjithshëm, “Albtelecom”. Ende nuk bëhet me dije se sa do të jetë kohëzgjatja e kontratës, apo edhe shuma që do të investohet për ekipin e parë. Këto janë detaje që do të bëhen me dije gjatë rrugës, ose në momentin që do të firmoset edhe kontrata. Në startin e këtij sezoni futbollistik Partizani nuk ka pasur asnjë sponsor të stampuar në kontratë, gjë e cila nuk pritet të zgjasë edhe për shumë kohë.
SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015