FAKTE PËR “DESTABILIZIMIN”
FAKTE PËR “DESTABILIZIMIN” 16.09.2016 | 17:39

Që ka një gjendje të “destabilizuar” brenda skuadrës dhe klubit të Partizanit është një e vërtetë e pamohueshme.
Gjithsesi faktet janë aq kokëfortë sa nuk lejojnë që dikush thjesht me llafe të thëna në ajër (pa dhënë qoftë edhe një argument të vetëm konkret) të fajësojë tifozët se ia duan të keqen klubit për të cilin ata kanë bërë më shumë sesa çdo tifozëri tjetër në Shqipëri.

Më poshtë po listojmë për të disatën herë disa nga arsyet e “destabilizimit”:

Largimi i kapitenit Nderim Nexhipi me arsyetimin e “zgjedhjes teknike”

Pavarësisht insistimit të tifozërisë së kuqe për qëndrimin e tij në skuadër, Nderim Nexhipi (po flasim për kapitenin dhe liderin e skuadrës në atë kohë) u detyrua të largohet. Largimi i tij u bë me arsyetimin e “zgjedhjes teknike”, por fakti është se ky largim nuk u pasua me zëvendësimin e tij me ndonjë lojtar me karakteristika të përafërta, apo nuk u dha asnjëherë një shpjegim përse lojtarët e kësaj natyre nuk janë të nevojshëm për skuadrën e Partizanit.

Skenari i largimit të sulmuesit Stevan Raçiç

U kalua me shumë shpejtësi fakti i largimit të sulmuesit serb Setvan Raçiç, për shkak të performancës së tij jo të kënaqshme në ndeshjet (minutat) e tij të fundit në sezonin e kaluar. Gjithsesi kronologjia e ngjarjeve që i paraprinë këtij largimi nuk është kaq e thjeshtë.
Skenari për t’i bërë “dalje” këtij lojtari filloi me arsyetimet për gjendjen jo të mirë shëndetësore të tij, për të kaluar më pas tek arsyetimet për formën jo të mirë fizike të lojtarit. Por publikut asnjëherë nuk i është bërë e ditur nëse rënia e formës së tij fizike erdhi si pasojë e mosimpenjimit të duhur në stërvitje të lojtarit, apo neglizhencës së treguar nga ana e stafit teknik.
Kjo situatë e krijuar rreth lojtarit fillimisht bëri që ai të ndjehet totalisht i pamotivuar, gjë që më pas detyrimisht do të rezultonte edhe me rënien e vazhdueshme të formës fizike dhe si pasojë edhe performancën e tij në minutat e aktivizuara në fushë.

Largimi i drejtorit Dritan Dervishi për mosarritjen e objektivit të fitimit të titullit kampion

Dështimi i skuadrës për të realizuar objektivin e fitimit të titullit kampion për sezonin 2015-16 solli për pasojë largimin e Dritan Dervishit nga detyra e drejtorit të përgjithshëm. Asnjëherë nuk u bë një analizë e mirëfilltë për të vlerësuar performancën e tij. Kjo mbase qëllimisht pasi në një analizë të tillë domosdoshmërisht do duhej të përfshiheshin edhe disa fakte. Është fakt i pamohueshëm që të gjitha afrimet e realizuara nga Dervishi gjatë merkatos rezultuan të jenë të suksesshme (sidomos krahasuar me merkaton paraprake, por edhe këtë të fundit në prag të sezonit të ri). Një tjetër fakt konkret është se gjatë drejtimit të tij klubi fitoi kontestet me klubet respektive të Apolonisë së Fierit dhe Dritës së Gjilanit me rastin e transferimeve të Filit dhe Ramadanit.

Zhdukja 77-ditore e Arbnor Fejzullahit 

Historia e tentimit të largimit të Arbnor Fejzullahit dhe mungesa e tij gati 3 mujore në skuadër është një tjetër fakt që rëndon mbi “stafin”. Duhet logjikë prej injoranti apo dashakeqi që një futbollist i grumbulluar me ekipin kombëtar të të rriturve dhe për të cilin kanë shprehur interes edhe skuadra të huaja, të trajtohet njejtë financiarisht si ndonjë futbollist veteran 30 e kusur vjeç. Kjo gjë sigurisht që do sillte “ftohjen” e futbollistit, dhe do ta bënte që të shqyrtonte opsione të tjera që përveç tjerash i ofronin pagë 10 herë më të lartë nga ajo që merr aktualisht futbollisti te Partizani.

“Qendër rehabilitimi” për Franc Veliun dhe Renato Arapin

Transferimet e Franc Veliut dhe Renato Arapit dhe largimi i tyre pas pak muajsh dëshmojnë më së paku mungesën totale të strategjisë për afrimin e lojtarëve.
Franc Veliu e shfrytëzoi kohën e kaluar tek Partizani për të rikthyer formën fizike në mënyrë që më pas të nënshkruante kontratë me një prej skuadrave rivale në kampionat.
Në anën tjetër Renato Arapi shfrytëzoi mundësinë për të zhvilluar 4 ndeshje të plota në kometicionet europiane për të përmirësuar kështu “kredencialet” e tij në tratativat për transferim në një kampionat të huaj.
Si përfundim Veliu e Arapi nënshkruajnë kontrata me skuadra të tjera, duke bërë që të paktën në këto dy raste skuadra e Partizanit të shërbejë si “qendër rehabilitimi”.

Merkatoja kaotike 2016

Kaotike dhe e dështuar është më e pakta që mund të thuhet për periudhën e merkatos së kësaj vere. Lojtarë që vijnë e ikin si të panevojshëm pa zhvilluar një ndeshje të vetme të plotë me skuadrën tregon për mungesën e njohurive elementare të drejtimit të një skuadre futbolli. Për ironi të fatit, ndonjë prej tyre debuton me dopietë në një kampionat më të mirë se Superliga Shqiptare (kampionati slloven vazhdon të jetë i ranguar më lart se ai shqiptar në renditjen e UEFA-së).

Ideja e huazimit të Mentor Mazrekajt të FK Kukësi

Kulmi i injorancës erdhi me shpikjen e ditëve të fundit të merkatos së fundit kur planifikohej huazimi i mesfushorit Mentor Mazrekaj tek FK Kukësi, skuadër kjo që konsiderohet ndër rivalët kryesore të Partizanit për titullin e kampionit të sezonit të ri. Vetëm dëshira e lojtarit dhe presioni i tifozëve bëri që ky “operacion” të dështojë, por mentaliteti prej inatçorëve të pandreqshëm e bën të pamundur që një prej futbollistëve më të mirë të kampionatit të inkuadrohet në skuadrën e parë. Lojtari në fjalë mund të mos jetë në formën e tij optimale, por ama “argumenti” se qëndrimi i tij jashtë skuadrës së parë si pasojë e dëmtimit është fund e krye shpikje.

NË VEND TË EPILOGUT 

Situata që aktualisht po kalon Partizani është pak a shumë si fabula e filmit “The Italian Job” ku një grup hajdutësh bashkohen për të grabitur një sasi ari. Deri më tani “italianëve tanë” gjithçka u ka vajtur sipas planeve. Skenari dhe regjia janë gjithmonë nga personi i njejtë që megjithëse ka “ndërruar qimen” (trajner, drejtorit teknik, drejtor i përgjithshëm, këshilltar i presidentit) asnjehëre nuk ka harruar “zakonin” për të krijuar kontradikta dhe destabilitet brenda skuadrës dhe klubit, pasi marrëdhënie normale me tifozët nuk ka pasur asnjëherë.
Gjithsesi, të gjithë duhet ta kenë të qartë se ashtu si gjithçka tjetër në jetë, edhe “filmat” e kanë një fillim dhe një fund. Kur mbaron një film, gjithmonë nis një tjetër.
Kur jemi tek filmat, “Inglourious Basterds” nuk duhet humbur.

SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015