Demi: UEFA dhe FSHF gabuan, Partizani im u dëmtua
Demi: UEFA dhe FSHF gabuan, Partizani im u dëmtua 07.07.2016 | 18:53
Presidenti i Partizanit, Gaz Demi, ka folur nga Sllovakia ku ndodhet për të gjithë situatën e krijuar. Numri një i klubit në një prononcim për “Sport Ekspres” ka pranuar që të flasë për të gjithë çështjen dhe të bëjë edhe disa “kritika” të rastit. Demi është i bindur se Partizani ka dalë i dëmtuar, pasi për një periudhë të shkurtër kohore duhet të përgatitet për Champions League, kur fillimisht u përgatit për këtë kompeticion më pas për Europa League dhe tashmë përsëri për Champions.
 
“Nuk mund të them shumë mbi çështjen, pasi duhet të pyesni FSHF-në dhe UEFA-n. Di të flas për ekipin tim dhe normalisht që më gëzon fakti që tani jemi në Champions League. Më vjen mirë edhe për futbollin shqiptar që do të përfaqësohet me një skuadër në Champions League. Në të njëjtën kohë di të them se kemi dalë të dëmtuar nga këto vendimmarrje, pasi u përgatitëm fillimisht për Champions League, tashmë për Europa League ku dhe luajtëm ndeshjen e parë dhe ekipi si unë jemi në Sllovaki dhe që nga nesër duhet të përgatitemi për Champions. Një kohë shumë e shkurtër. Do ta kemi të vështirë të gjejmë lojtarët e duhur, por do të mundohemi të bëjmë maksimumin”.
 
Numri një i klubit ka edhe disa kritika dashamirëse siç e thekson disa herë.
 
“UEFA dhe FSHF-ja gabuan me rastin tonë, pasi jemi shumë vonë dhe mund të them se paksa të papërgatitur. Megjithatë, ne do të punojmë kemi të ardhme përpara, pasi kemi vendosur një strukturë dhe themele të forta për klubin. Kompleksi po vijon me ritme të mira dhe po shkon për mrekulli”.
 
Presidenti ka folur edhe për rivalet e kryeqytetit.
 
“Më vjen keq edhe për Tiranën që nuk hyri në Europa League, për Skënderbeun nuk dua të flas fare pasi nuk jam i informuar për çështjen”, – përfundon presidenti Gaz Demi.
 
SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015