Karate, Partizani kampion për herë të 18-të
Karate, Partizani kampion për herë të 18-të 18.02.2015 | 20:41

Partizani në karate mbron me sukses trofeun që në këto dy dekadat e fundit është ai lideri i tapetit. Në garën e parë kombëtare të Federatës Shqiptare të Karatesë për vitin 2015, Partizani i drejtuar nga trajneri Ramiz Ismailgeci siguron trofeun e 18-të kampion në historinë e klubit në 22 edicione të zhvilluara deri tani.

Sipas sekretares së Përgjithshme të Federatës, Erikela Ismailgeci, kampionati u organizua ditën e djeshme në palestrën sportive në Kamzë për kadetë (14- 15 vjeç), të rinj (16-17 vjeç) dhe të rritur (+18 vjeç). Garat u zhvilluan në disiplinat individuale, sipas peshave të përcaktuara nga rregullorja e Federatës Shqiptare të Karatesë, si dhe në konkurrimin ekipor. Ekipet pjesëmarrëse ishin Partizani, Kamza Karate, Besëlidhja, Kristaq Rama, Tirana, Ballkan Shitokai, Artan Tushe Karate, Egnatia, Shotokan Elbasan, Bijtë e Shqipes (Lushnjë), Elbasani, Wado Ryu (Vlorë), Shito Ryu Karate Albania dhe Tomori.

Në përfundim të finaleve për ekipore, ku konkurrenca ishte e fortë, vendin e parë e zuri skuadra e Partizanit, e ndjekur në podium nga Kamza Karate dhe në vend të tretë nga Elbasani. Kampionë për të rritur u shpallën Borbardha Sulaj, Kushtrim Nasufi, Roland Mraca, Xhino Toli, Spajdi Selamaj, Erblin Kacnia dhe Ermal Hadribeaj për kumite në peshën +84 kg. Kombëtari i djeshëm vlejti si test për Kombëtaren shqiptare përpara kampionatit ballkanik të të rriturve, që zhvillohet në Serbi më 22 shkurt. Ndonëse nuk ka ende një përfaqësuese, si kandidatë të mundshëm shihen Xhino Toli dhe Halil Marqeshi.

SHPËRNDAJE KËTË LAJM

SuperLiga

Partizani.Net | 2002-2015