Që nga përfundimi i sezonit të shkuar dhe deri dje kur përfundoi faza e parë e kampionatit të 70-të, nuk kishim parë një Partizan që të luante kaq mirë sesa bëri ndaj Elbasanit. Por nuk është e thënë që Partizani të shpëtojë nga “telashet”, pasi edhe kur është mirë ekziston fuqia e gjyqtarëve, të cilët e kanë ndarë mendjen këtë sezon, që të mos i lënë “demat” të ngrenë kokë.Takimi i djeshëm midis Partizanit dhe Elbasanit përfundoi në barazim 2-2, por fundi i ndeshjes regjistroi padrejtësinë e radhës për të kuqtë.
Fillimisht gjyqtarët lejojnë kapitenin Ahmataj, që të barazojë rezultatin, pasi më parë kishte bërë një faull dhe tri minuta më pas gjyqtari Albano Janku dhe anësori Genc Maloku, mbyllin sytë, pasi i mohojnë Partizanit një 11-metërsh të pastër.
Për sa i përket asaj që ndodhi dje në përfundim të takimit Partizani-Elbasani, të gjithë ishin të mendimit se ekipit të trajnerit Duro iu vodhën dy pikë. Këtë gjë e pranojnë edhe vetë elbasanasit. Trajneri Mirel Josa në përfundim të ndeshjes deklaroi qartë: “Nuk ishim ne që morëm një pikë, por ishte Partizani që la dy të tjera.” Ndërsa sekretari i klubit të Elbasanit, Artin Kovaçi, në kohën që po linte stadiumin deklaroi: “Barazimi nuk i hyn në punë asnjërës.
Ashtu siç rrodhi takimi, gjyqtarët ishte më mirë që të lejonin të fitonte Partizani, sesa e mbyllën ndeshjen në barazim.” Gjithsesi, të kuqtë janë të detyruar që përpos problemeve të tyre të brendshme, duhet të durojnë edhe “kamxhikun” e “bluzave të zeza”. Duke anashkaluar këtë padrejtësi të gjykimit, duhet vlerësuar loja e mirë e të kuqve, të cilët dje pa dyshim kanë konfirmuar se situata është drejt përmirësimit.
Dje, Partizani i Shpëtim Duros ka dhuruar gjithçka, lojë, gola, ka marrë pikë, por përsëri gabon në disa raste në aspektin mbrojtës dhe shpërdoron shumë para portës kundërshtare. Sinjal i mirë ishte edhe zhbllokimi i sulmuesit korçar, Marius Ngjela, i cili dje tregoi se nuk ka harruar të shënojë dhe shpresohet që nga ky moment Partizanit nuk do t’i mungojnë golat e tij.
Një tjetër gjë që duhet vlerësuar nga Partizani i djeshëm është se për herë të parë në këtë sezon të kuqtë arrijnë të shënojnë dy gola brenda një ndeshjeje. Rezultantja e takimit të djeshëm flet qartë se situata te Partizani ka filluar të ndryshojë, por jo gjithçka është në dorë të të kuqve, pasi fati i tyre me sa duket varet më shumë nga “gabimet njerëzore” të gjyqtarëve. Falë pikës së djeshme, Partizani tashmë nuk është i vetëm në fund, pasi ka të njëjtën kuotë pikësh, shtatë, me Lushnjën dhe me golaverazh më të mirë mban vendin e njëmbëdhjetë në renditje.
Deklaruan: Shpëtim Duro, trajner i Partizanit: “Në radhë të parë, dua të falënderoj skuadrën, pasi dha më të mirën gjatë 90 minutave. Në pjesën e parë ishim në disavantazh, por duhet të kishim shënuar të parët. Në pjesën e dytë jam shumë i kënaqur nga skuadra. Më vjen keq, pasi ishim shumë pranë një fitoreje shumë të rëndësishme, të cilën nuk mundëm ta arrijmë dot.
Duke mos hequr dorë nga përgjegjesia futbollistet e mi në momentin e golit të barazimit të Elbasanit, kam rezervat e mia për gjykimin. Ka qenë një faull në atë gol. Për 11 metërshin them se ishte një penallti klasike. Por s’mund të them me 100%, pasi ende s’kam parë pamjet filmike.”
Mirel Josa, trajner i Elbasanit: “Duhet parë me kujdes rrjedha e ndeshjes. Ne e filluam ndeshjen shumë mirë dhe kaluam në avantazh, por më pas treguam shenja mendjemadhësie dhe menduam se e fituam ndeshjen për 20 minuta.
Partizani është për t’u përgëzuar për ndeshjen që bëri. Për mua sot Partizani ka humbur dy pikë. Nuk e diskutoj rastin e 11 metërshit, por ne barazuam 2 minuta përpara përfundimit të ndeshjes. Për rastin e dyshimtë nuk mund të diskutoj me saktësi, por mendoj se faulli filloi jashtë zone. Le të presim për më tepër moviolën e famshme.”
Radiografia
8′- Goditje dënimi për Partizanin. Gjuan Karabeci, grushton portieri Osmani, topi përfundon te Bakaj, që godet fort, por përsëri topi ndalet nga Mehmetaj dhe asnjë rrezik për portën mike.
10′- Bakalli lëshon një top pas shpinës së mbrojtjes së kuqe, përfiton Bejzade, por finalizon gabimisht.
11′- Bejzade shërben për Abazaj, që gjuan, por grushton Shehi.
11′- Kundërsulm i Partizanit, por në fund Ngjela godet gabimisht. 16′- Sulm i përshkallëzuar i të kuqve, në fund është Hallaçi që gjuan, por topi përfundon jashtë.
18′- Karapici shërben për Bakajn, që në hyrje të zonës krijon hapësirë, gjuan, por përsëri jashtë.
19′- Provon Merxha me kokë dhe pret Shehi.
22′- Abazaj futet në thellësi të zonës së Partizanit, gjuan, por grushton portieri Orges Shehi.
26′- Goditje këndi për Elbasanin. Bakalli lëshon një kros në zonë, që shfrytëzohet mirë nga Abazaj, i cili me kokë shënon gol, 0-1.
42′- Bakaj shërben për Ngjelën, që përfiton nga një gabim i Kacolles dhe korçari nuk e ka të vështirë të shënojë dhe 1-1.
54′- Është Abazaj që vë në provë Shehin, por përsëri pret portieri.
69′- Karapici kombinon bukur me Bakajn, që shumë pranë portierit Osmani finalizon keq.
70′- Goditje dënimi për Partizanin. Gjuan Karabeci dhe në zonën mike krijohet një “lëmsh” i vërtetë, pasi disa futbollistë të kuq provojnë, por nuk shënojnë.
80′- Sulmojnë të kuqtë, por në fund është korçari Ngjela, që e godet topin, i cili përfundon jashtë.
84′- Kundërsulm i Partizanit. Karapici bën gjithçka lëviz bukur, shmang kundërshtarët në fund pengohet edhe nga portieri Osmani, por topi përfundon te Ngjela, që me portë bosh shënon golin e avantazhit. 2-1 për të kuqtë.
89′- Ahmataj, në hyrje të zonës së Partizanit, dylufton me Karabecin, të cilin e lëshon të tokë, por nuk ka faull sipas gjyqtarit, dhe kapiteni elbasanas lëshon një “predhë”, që përshëndet rrjetën e portës së kuqe dhe rezultati barazohet në 2-2.
90′- Gjuan Ngjela dhe grushton Osmani.
92′- E pabesueshme! Ngjela pengohet në zonën mike nga portieri Osmani, por gjyqtari Janaku shikon anësorin Maloku, i cili nuk jep asnjë sinjal dhe Partizanit i mohohet një 11-metërsh klasik.
94′- Gjuan Bakaj dhe grushton përsëri portieri Osmani.