Lajme
Superliga
Kupa
Europa
Skuadra
Historia
Të rinjtë
Tė tjera
   
Berti, o Xhan!
   
nga Panorama Sport  
   
06.11.2008  
   
 
   

 

TifozetJam tifoz i Partizanit. Madje, nga dashuria që kam për këtë skuadër, më është fiksuar në mendje se çdo tifoz kaq i zjarrtë si mua ka të drejtë që, njëherë në jetë, t’i drejtohet presidentit të Partizanit në emër. Ndaj kam vendosur që, presidentit të klubit tonë të dashur, t’i drejtohem në emër.

Më është fiksuar në kokë se, ti o Berti i ke të gjitha meritat që Partizani ndodhet në këtë situatë sot. Kjo më bën krenar se të kesh një president si ty, gjithnjë në skuadër do të ketë surpriza, madje shumica e tyre, me karakter tejet negativ.

Jam krenar për ty o Berti, sepse të gjithë trofetë që kemi dashur t’i fitojmë, por që nuk i kemi fituar dot, janë meritë e punës tënde të palodhur në krye të klubit të kuq.

Si të mos jesh krenar për një president si ty, që për shumë e shumë vite nuk fiton asgjë. Pa le pastaj, kur të dëgjoj të thuash nëpër televizione me shumë krenari se “statutin e FSHF-së e ke firmosur pa e lexuar fare”. Berti, o xhan, Partizani pa ty nuk është asgjë. Vetëm ti mund ta bësh një skuadër nënkampione dhe më pas ta rrënosh atë thuajse totalisht. Vetëm ti mund t’i marrësh trajnerët natën e t’i shkarkosh ditën. Vetëm ti mund t’i besosh një trajneri që kërkon 70 mijë euro, të cilit ke ndërmend t’i lësh në dispozicion një tufë lojtarësh të papaguar.

Berti, o xhan, vetëm një si ty mund të heqë nga skuadra shtatë futbollistë titullarë, për t’i zëvendësuar me brazilianë “parttime”. Të kam zili o Berti, se vetëm ti di si të na largosh ne, tifozët e çmendur të Partizanit, nga stadiumi. Të kam zili se vetëm ti arrin ta nxjerrësh Shpëtim Duron në stërvitje, ndonëse ia ke bërë të qartë se ke rënë në dashuri me kroatët. Jam i bindur se ke bërë një punë të palodhur, pa ta kërkuar askush, dhe rezultatet nuk të kanë munguar.

Askush më mirë se ty nuk do të prezantonte një kompani qipriotësh me aq shumë bujë dhe dy muaj pas atij publiciteti ta heqë logon e saj nga fanella sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Më vjen keq kur të shoh që qahesh gjithnjë, madje jam po aq i zemëruar me ty dhe me lojtarët që shpeshherë ke thënë se ta kanë shitur ndeshjen. Besoj verbërisht se çdo problem te Partizani është dashakeqësi nga lojtarët, stafi, gazetarët, brazilianët, kukuvajkat, sistemi, Duka, FSHF-ja, roja i fushës...

Vetëm ti nuk ke asnjë përgjegjësi. S’ka sesi të ndodhë ndryshe. Nga përvoja ime, duke qenë se të shoh prej kaq shumë vitesh në krye të Partizanit, e di fare mirë se mendja jote punon vetëm për skuadrën time të zemrës. Kam dëgjuar nga gojët e liga se edhe ti ke qenë disa herë pjesë e pazareve andej nga aksi Shqipëri-Qipro, por nuk e besoj kurrë këtë, sepse kam besim te ndershmëria jote...

O Berti o Xhan.
.

 

6 Nentor 2008

   
Custom Search
   
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site