Albert Xhani shquhet për gjetjet e tij deri diku në kufijtë e çmendurisë dhe këtë herë duket se ka katranosur atë të radhës. Vetëm një javë pasi i besoi shpëtimin e skuadrës, presidenti i Partizanit duket se ka vendosur që të ndërrojë trajner. Ai ndodhet në Greqi, por që andej ka bërë të ditur se ka rënë dakord me kroatin Nenad Gracan, i cili do të jetë tekniku i ri i skuadrës duke nisur që nga janari. "Do të vij me të ditën e hënë dhe do të shohim ambientet e klubit. Ai do të sjellë me vete edhe disa futbollistë, me të cilët do ta shpëtojmë Partizanin", ka thënë Xhani.
Një lajm që ka qenë i papritur për teknikun aktual Shpëtim Duro, që gjithsesi dje ka vazhduar rregullisht stërvitjen. Por, të gjithë te Partizani kanë mbetur të shokuar. Askush nuk dinte të jepte përgjigje për atë që po ndodhte, kjo edhe për faktin se Xhani nuk i kishte telefonuar askujt për t'i sqaruar situatën.
Shpetim Duro Në rast se kroati Nenad Gracan do të bëhet trajneri i ri i Partizanit, atëherë Shpëtim Duros do t'i duhet të largohet. Vetë trajneri i të kuqve ka vazhduar dje rregullisht stërvitjen, ndonëse dukej qartë se një lajm i tillë e kishte habitur jo pak. "Unë nuk di asgjë, pasi ende nuk kam folur me presidentin", tha ai. "Ajo që më çudit më shumë, është se Xhani m'u lut vetë që ta merrja skuadrën. Atij i kishin thënë disa trajnerë të tjerë para meje dhe ai më donte mua. Pranova dhe arrita një marrëveshje me të. Gjithçka dukej se po shkonte mirë dhe tani mësoj këtë lajm. Nuk di si ta shpjegoj, duhet të pyesni Xhanin për këtë", ka deklaruar Shpëtim Duro. I pyetur se çfarë do të bënte pas kësaj, ai tha: "Unë do të vazhdoj stërvitjen, pasi kam një akord me të. Por, nuk e di se çfarë do të ndodhë".
Gjendja
Natyrisht që situata në klubin e kuq nuk duket nga më të mirat. Sikur të mos mjaftonin problemet me rrogat, vendi i fundit në kampionat dhe largimi i tre brazilianëve ditën e hënë, tashmë del në skenë emri i një trajneri të ri që do të zëvendësojë atë të zgjedhurin një javë më parë. Xhani, para kamerave, e quajti "shpëtimtarin e skuadrës dhe një njeri me gjak nga Partizani" Duron, i cili zëvendësoi Hasan Likën e larguar. Por, kjo "dashuri" e rilindur mes tyre, duket se mori fund shumë shpejt. Madje, nuk zgjati as 10 ditë. .
6 Nentor 2008
Custom Search
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site