Partizani koleksion humbjen e radhës dhe është Shkumbini që në fushën e stadiumit “Qemal Stafa” e tund dy herë rrjetën e portës së kuqe. Java e nëntë e thelloi edhe më shumë krizën e Partizanit, i cili megjithëse ndërroi trajner, përsëri nuk gjen “derman”. Nuk ka nevojë për shumë komente, pasi ecuria e këtyre nëntë javëve të para ka treguar se Partizani është kundërshtari më pa peshë i kategorisë superiore.Asnjë ekip nuk e ka të vështirë që të gjejë rrugën e golit ndaj Partizanit, madje me atë që u pa dje në stadiumin kombëtar, të kuqtë po marrin karakterin e një rivali stërvitor.
Dje Shkumbini kreu një ndeshje të mirëfilltë stërvitore me Partizanin, pasi të kuqtë në asnjë rast nuk ishin të denjë për të rrezikuar si duhet portën e Llanit. Të kuqtë duhet t’ia dinë për nder Shkumbinit, pasi nëse miqtë do të kishin më shumë ego për fitore, rezultati i takimit mund të ishte edhe më i thellë. Dje është parë një Partizan i çorganizuar në mënyrë të organizuar. Takimi i djeshëm vërtetoi se momentalisht te Partizani nuk funksionon asgjë. Në këtë përfundim doli edhe trajneri Duro, që pas ndeshjes e pranoi se të gjitha repartet çaluan dhe ekipi për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike ku është zhytur, nuk është i aftë të bëjë dy pasime të sakta.
Pas fitores së kupës pritej që takimi me Shkumbinin të ishte testi real për Partizanin e trajnerit Shpëtim Duro. Ashtu siç ishte parashikur, trajneri Duro hodhi në fushë një kompozim të ri, që në fund nuk dha asnjë rezultat. Reparti më i modifikuar ishte mbrojtja, por ndryshimet ndikuan për keq, pasi edhe golat e pësuar ishin më shumë meritë e gabimeve të lojtarëve të Partizanit, se e sulmuesve të Shkumbinit.
Në fillim të pjesës së parë të kuqtë patën një epërsi të lehtë ndaj kundërshtarit, por me kalimin e minutave peqinasit e rrisin lojën dhe në minutën e 31-të shënojnë golin e parë. Pas kësaj minute, Partizani ekziston vetëm formalisht në fushën e lojës, pasi efekti i golit ua preu shpresat. Në pjesën e dytë trajneri Duro i përdori të tri zëvendësimet, por përsëri skuadra vazhdonte në rutinën e saj, duke u pajtuar me humbjen.
Dje Partizani ka koleksionuar humbjen e gjashtë në nëntë javë të luajtuara dhe në këtë mënyrë të kuqtë po krijojnë imunitet me disfatat. Javët po ia lënë vendin njëra-tjetrës dhe Partizani vazhdon të çimentoset në vendin e fundit. Me këtë ecuri shpresat e mbijetesës së Partizanit po vijnë drejt venitjes, pasi deri në merkaton dimërorë, ku pretendohet se do të ketë përforcime, ka edhe shumë takime për t’u luajtur.
Partizani është i destinuar të vuajë, pasi në këtë moment edhe kalendarin e ka kundër, sepse javën që vjen do të luajë në Kavajë dhe më pas pret në fushën e vet Elbasanin. Për besimtarët, vetëm Zoti e di fatin e të kuqve, pasi të gjitha parashikimet e momentit janë kundër Partizanit, që i ka mbetur ora te 17 maji i 2008-s.
Shpëtim Duro, trajner i Partizanit: “Drejtimin e Partizanit e mora në momente të vështira, por puna duhej të vazhdonte. Kjo ishte dhe arsyeja që mora drejtimin e skuadrës. Normalisht, kur vjen një trajner mund të ndryshojë diçka.
Gjatë gjithë javës thashë se kisha besim, sepse nuk mungonte impenjimi, por duke iu referuar takimit të sotëm, kemi vuajtur në të gjitha drejtimet, kryesisht në anën psikologjike. Skuadra është shumë e ngarkuar psikologjikisht, pasi shikoja se futbollistët nuk mund të bënin dy pasime bashkë.|
Sot (dje) patëm shumë probleme si në aspektin mbrojtës, të mesfushës dhe sulmit, pra çaluam gjithandej. Pavarësisht kësaj humbjeje, do ta vazhdoj punën time. Situata është e vështirë, por do të vazhdojmë që të përgatitemi për të dalë nga kjo situatë. Kështu që mbetet për të parë nga java në javë.”
Gugash Magani, trajner i Shkumbinit: “Ishim përgatitur për një ndeshje të vështirë, pasi dihej pozita e Partizanit dhe me çdo çmim ishim përgatitur për ta fituar takimin. Loja pati dy tablo. Në pjesën e parë luajtëm dobët, por në të dytën e ngritëm lojën në nivelin nënmesatar.
Për sot (dje) jam i kënaqur vetëm me rezultatin, sepse për mua loja nuk ka qenë në nivelin e duhur. Pa diskutim si ish-lojtar më vjen keq për gjendjen e Partizanit, pasi fanella e tij është shumë e rëndë dhe e lavdishme. Gjithsesi, jam trajner i Shkumbinit dhe do t’i bëj hyzmetin punës sime.”
Të veçanta
- Në shkallët e stadiumit ndodheshin rreth 200 tifozë, ndërsa tribuna “VIP” ishte e mbushur, ku të pranishëm ishin trajneri i kombëtares, holandezi Ari Han, presidentët e të dy skuadrave Xhani-Ismaili dhe disa personalitete të tjera.
- Partizani dje ka luajtur me uniforma të reja, të cilat nuk i kanë dhuruar fat.
- Pas një aventure me numrin 10, Elis Bakaj i është rikthyer numrit të tij të zakonshëm, 19, të cilën për disa javë e ka mbajtur braziliani Roma. Gjithsesi, edhe ky ndryshim nuk i prish “magjitë” që e kanë kapur Partizanin.
- Pas përfundimit të ndeshjes, presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, e ka ftuar skuadrën që ta festojnë së bashku fitoren në lokalin e tij.
Radiografia 5′- Gjyla nga e majta e sulmit lëshon një kros drejt portës peqinase dhe është Karapici, që godet me kokë, por jashtë.
14′- Nga një distancë 20 metra, diagonalisht me portën, është Elis Bakaj që gjuan, por topi përfundon mbi traversë.
16′- Gjirokastriti Nora kombinon bukur me Rizvanollin, po ky i fundit, i lirë para portierit Shehi, godet lehtë, asnjë rrezik për të kuqtë.
23′- Bizhyti provon nga larg, por jashtë.
25′- Partizani sulmon me forca të shumta, por braziliani Roma heziton në disa raste dhe në fund është Hallaçi, që gjuan nga larg, por topi përfundon jashtë.
30′- Goditje dënimi për të kuqtë. Gjuan Bakaj dhe pret Llani.
31′- Goditje këndi për peqinasit. Gjuan Nora dhe është Rizvanolli, që përfiton nga apatia e mbrojtjes së kuqe dhe me kokë shënon gol, 0-1 për Shkumbinin.
36′- Goditje dënimi për miqtë. Nora godet dhe Grami nuk finalizon si duhet me kokë.
44′- Roma pason për Bakajn, që lëviz drejt portës mike, por gjuajtja e tij është e pasaktë.
52′- Goditje dënimi për Shkumbinin. Topi i shkelmuar nga Delioski përfundon te Shameti, që me kokë e nxjerr topin jashtë.
53′- Moment fatal te Partizani. Mbrojtia konfirmon ditën e zezë, duke bërë gabime amatore, që shfrytëzohen nga miqtë dhe është pikërisht Roland Dervishi, që përfiton nga ky moment dhe pason te Nora, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë, 0-2 për Shkumbinin.
64′- Pashja, nga e majta e sulmit mik, lëshon një kros në zonë dhe është Bizhyti që godet me kokë, por asnjë shqetësim për portierin Shehi.
68′- Përsëri ngulmojnë peqinasit. Nora shërben për Dervishin, që e godet topin me kokë, por jashtë.
84′- Capa lëshon një top në zonën e Shkumbinit, por është i vëmendshëm portieri Llani që e grushton topin.
85′- Kundërsulm i peqinasve, por në fund është Roland Dervishi që nuk finalizon si duhet.