![]() |
||||||||||||||||||||||||||||||||
|
Njëshi i pankinës së Partizanit është i kënaqur me të besuarit e tij, pasi gjatë katër ditëve që janë bashkë, lojtarët kanë treguar seriozitet si në seancat stërvitore, por edhe të mërkurën në takimin e kupës. Momentalisht trajneri Duro kërkon që e gjithë vëmendja e Partizanit të përqendrohet te takimi me Shkumbinin. “Skuadrën e stërvis prej katër ditësh, por hapin e parë s’e kam bërë akoma. Gjithçka po shkon shumë mirë dhe serioziteti i futbollistëve ka qenë i madh si në seancat stërvitore, por edhe në takimin e kupës që luajtëm në Tepelenë. E rëndësishme është që të gjithë të përqendrohemi te ndeshja e radhës. Deri tani gjërat po ecin mirë, por përballja me Shkumbinin do të tregojë se ku jemi. Normalisht hapi i parë do të jetë takimi me peqinasit, pasi ndeshja e kupës ka karakter tjetër, sepse përballë kishim një kundërshtar modest. Në Tepelenë gjithçka shkoi mirë, por më shumë se rezultati më pëlqeu reagimi i futbollistëve në fushën e lojës. Pra, në Tepelenë skuadra bëri një paraqitje serioze, por testi i vërtetë është ndeshja me Shkumbinin, pasi dihet situata dhe pozita momentale e Partizanit. Takimi i radhës ka një përgjegjësi të madhe për të gjithë grupin, prandaj shpresoj që të gjithë së bashku të reagojmë drejt edhe në përballjen e kampionatit,”- u shpreh dje trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro. Besimi te skuadra. Megjithëse është i ri në kampin e kuq, trajneri Duro ka besim te skuadra që drejton dhe është i bindur se, nëse arrihet fitorja ndaj Shkumbinit, atëherë të gjithë duhet të besojnë në kthesën e pritur të Partizanit. “Pres që skuadra të luaj një futboll të mirë, të ketë agresivitet, prandaj po të realizohen këto mund të arrihet dhe rezultati pozitiv. Megjithatë, e dimë se na pret një takim i vështirë, pasi i tillë është edhe kundërshtari që kemi përballë. Pavarësisht situatës, kam besim te skuadra, pasi futbollistët e dinë rëndësinë e emrit që përfaqësojnë. Futbolli i parashikon të tri rezultatet. Nëse me Shkumbinin do të luhet mirë, pa dyshim që te Partizani do të ndodhë kthesa e pritur. Në futboll asnjëherë nuk ka garanci absolute, kështu që gjithçka varet nga mënyra se si do të luajmë në fushën e blertë,”- vazhdon më tej njëshi i pankinës së kuqe. Skuadra e plotë. Për momentin Partizani ka disa lojtarë të lënduar, por për takimin e radhës trajneri Duro e konsideron të plotë grupin. I vetmi shqetësim mbetet mungesa disaditore e mbrojtësit Fatjon Tafaj, pasi duhet kohë që ai të riaftësohet plotësisht. “Normalisht, skuadra është e plotë, përjashtim bën vetëm mbrojtësi Tafaj, pasi për shkak të dëmtimit është i padisponueshëm për disa ditë. Gjithashtu, në kontigjentin e takimit të së shtunës kthehen edhe Hallaçi me Shalën, ndërsa Bakaj ka marrë një kontraktim të lehtë, por besoj se do të jetë i gatshëm për takimin e radhës. Ngrohje prej brazilianëve. Takimi i kupës është vlerësuar edhe në aspektin e shpërthimit të sulmuesve, si dhe në zgjimin e treshes braziliane, Roma-Bruno-Kastelani. Sipas trajnerit Duro, gjetja e golit nga ana e sulmuesve (Roma dhe Ngjela) në takimin e kupës, pritet të ndikojë pozitivisht në psikologjinë e këtyre lojtarëve. “Sinqerisht, në takimin e kupës me Tepelenën të tre brazilianët më kanë ngrohur, pavarësisht nivelit të kundërshtarit. Normalisht, të tre brazilianët nuk kanë ardhur te Partizani në momentin e duhur. Nëse kjo krizë kalohet me pikë, besoj se ata do të përshtaten më mirë me skuadrën dhe me kalimin e kësaj situate ata do të jenë edhe më rentabël. Gjatë këtyre ditëve jam munduar që të punoj me të gjithë komponentët, si nga ana taktike, por edhe e përgatitjes fizike, si dhe në aspektin psikologjik. E thashë se nuk është tregues takimi i Tepelenës, por shumë e rëndësishme është se sulmuesi Roma arrin të shënojë dy gola, gjë e cila ndikon në çlirimin psikologjik të lojtarit. Ndërsa për sa i përket Ngjelës, mund të them se ai ka një kohë të gjatë që nuk është aktivizuar, por gradualisht si ai, por edhe të gjithë të tjerët janë të gatshëm për ta përballuar aktivitetin,”- ka shtuar trajneri Shpëtim Duro. Ndërthurje e të rinjve me përvojën. Largimi i një pjese të titullarëve të sezonit të shkuar solli që radhët e Partizanit të mbushen me elementë me moshë të re. Trajneri Duro për momentin kërkon që të mos lëshojë shumë peshë mbi supet e tyre, pasi barrën e kalimit të krizës kërkon që ta vërë mbi shpatullat e lojtarëve me eksperiencë. Sipas trajnerit, duhet që për momentin elementi i ri të ndërthuret me lojtarët me përvojë, sepse për të rinjët ka plot kohë në të ardhmen, që ata të luajnë dhe të marrin në dorë fatet e Partizanit. “Grupi aktual ka edhe disa futbollistë të rinj, të cilët duhet të aktivizohen në çastin e duhur, pasi në këto momente nuk duhet të luajnë aq shumë. E kam thënë që ditën e prezantimit se për kalimin e momentit të keq të Partizanit gjithçka është në dorë të lojtarëve me përvojë, sepse janë ata që duhet ta marrin në dorë këtë situatë. Të rinjtë do të kenë mundësitë dhe kohën e duhur për t’u aktivizuar,”- ka përfunduar rrëfimin e tij për mediat trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro. .
31 Tetor 2008 |
|
||||||||||||||||||||||||||||||
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site |
||||||||||||||||||||||||||||||||