Blutë, e drejtuar nga Zllatko Daliç, kanë fituar derbin e dytë ndaj Partizanit, pas atij të humbur ndaj Tiranës. Ndeshja nuk është ngjitur asnjëherë në nivelin e dëshiruar dhe s’i ka ngjarë aspak atij derbi që u luajt një javë më parë në stadiumin “Qemal Stafa” (Tirana-Dinamo 2-1). Të dyja skuadrat vinin me formacionet e tyre më të mira në këtë takim. Në radhët e Dinamos rikthehej Poçi, pas mungesës ndaj bardhebluve si pasojë e një dëmtimi në kavilje.
Ndërkohë, te Partizanit rikthenin Tafaj dhe Pinari, pas kartonëve të marrë në Vlorë. Loja nis me një rast të mirë për blutë kampionë në fuqi, kur Çapja në hyrje të zonës godet dhe topi “stampohet” në traversën e portës së Shehit. Por Bakaj kundërpërgjigjet dhe trondit dhe ai traversën e Kotorrit. Kur loja kishte rënë në qetësi dhe topi për disa minuta qarkullonte vetëm në mesfushës, blutë do të gjejnë golin në fund të pjesës së parë, ku Ferraj merr një top nga Nikoliç dhe kroson në shtyllën e dytë për Poçin që kalon Dinamon në avantazh.
Në pjesën e dytë loja e bluve është më e mirë, sidomos në repartin e mesfushës ku aktivizimi i Jusufit i jep një tjetër ritëm lojës së Dinamos. Mbas një kombini në të majtë me Ferrajn, kroato-maqedonasi Jusufi, jep një asist për Plakun që shënon golin e sigurisë, 2-0. Më pas sulmuesi tiranas merr dhe kartonin e dytë të verdhë (automatikisht të kuq), duke e lënë Dinamon për 7 minuta me 10 futbollistë. Por Partizani është i pafuqishëm të reagojë dhe Dinamo gjen fitoren e 3-të në kampionat, duke parë drejt kreut të tabelës, ndërsa Partizani “zhytet” më keq në fundin e saj.
Zlatko Daliç, trajner i Dinamos: “Rëndësi ka që fituam ndeshjen. Mendoj se pas këtij tripikëshi do ta kemi më të lehtë punën tonë. Kemi disa probleme nga ana psikologjike, por pas paraqitjes së pjesës së dytë dhe fitores së derbit do t’i kemi gjërat më të lehta. Jam i kënaqur nga pjesa e dytë, pasi futbollistët i realizuan detyrat që u kisha ngarkuar. Goli i dytë ishte i bukur dhe pas daljes së Plakut me karton të kuq, u detyruam që të ndryshojmë lojën tonë.”
Hasan Lika, trajner i Partizanit: “Mendoj se me atë që dhamë në fushë, duhej të kishim marrë diçka më shumë, të paktën një barazim, që do të na vlente jo vetëm në kuadrin e pikës, por më shumë në aspektin moral. Sigurisht që humbjet janë jo të mira. Kemi luajtur ndaj një kundërshtari të fortë, që e meritoi fitoren, por skuadra u mundua që të japë maksimumin në fushën e lojës. Gabuam në disa momente dhe nuk kemi qenë të rrezikshëm në aspektin sulmues.”
Të veçanta
- Presidenti Albert Xhani, gjatë pjesës së parë, ka zbritur në dhomat e zhveshjes nga tribuna “VIP” dhe ka thyer një xham në dhomën e gjyqtarëve.
- Në fund të ndeshjes, presidenti i kuq i ka dhënë zemër trajnerit të tij Hasan Lika, pas humbjes, duke e ftuar për një kafe “relaksi”, por trajneri ka preferuar që të udhëtojë së bashku me skuadrën dhe jo me makinën e Xhanit.
- Futbollistët e Partizanit kanë dalë në nxemje me fanellët e stërvitjes së kombëtares shqiptare.
- Në tribunën “VIP”, veç bashkëshorteve të lojtarëve të huaj të Dinamos, ishte e pranishme për herë të parë bashkëshortja e trajnerit kroat, Zllatko Daliç, e cila, me sa duket, i ka sjellë fat Dinamos.
- Ashtu si në fazën e parë, një sezon më parë, Dinamo e ka mposhtur sërish me rezultatin 2-0 skuadrën e Partizanit.
Radiografia
2′- Karapici hedh një top në zonën dinamovite nga e djathta dhe aty Diop, sipas të kuqve, e ka prekur topin me dorë. Por kontestimet e Partizanit nuk gjejnë mbështetjen e kryesorit Taullai, i cili vazhdon lojën.
9′- Çapja godet bukur në hyrje të zonës dhe trondit traversën e portierit Shehi.
13′- Kundërsulm i Partizanit dhe Kalari godet jashtë.
17′- Bakaj godet në pozicion të prirët në hyrje të zonës, por iniciativa e tij përfundon në shtyllë pranë trekëndëshit të djathtë të portës së Kotorrit.
37′- Ferraj kroson nga e majta në shtylllën e dytë dhe aty Poçi tepër i zgjuar shënon me kokë pranë portës së Shehit.
40′- Godet Bakaj dhe pret Kotorri në dy kohë.
49′- Ferraj tenton nga një goditje standarde, por Shehi është i vëmendshëm.
52′- Bakaj godet nga distanca, por pa problem pret Kotorri.
65′- Plaku godet brenda zone, por pret Shehi.
73′- Aksion i bukur i Dinamos, kur Ferraj-Jusufi kombinojnë bukur nga e majta, dhe pikërisht ky i fundit jep një asist për Plaku, i cili me të majtën mposht Shehin.
75′- Capa tenton, por jashtë.
83′- Sebino Plaku largon topin në lojë të ndaluar dhe për gjyqtarin kryesor Taullai është kartonë i verdhë, i dyti për sulmuesin, i cili lë fushën e lojës dhe Dinamon me 10 futbollistë.
90′- Allmuça hedh një top në zonë, por aty Haliloviç është i pavëmendshëm për të shënuar golin e tretë.
Dinamo - Partizani 2-0 Shënues: Poçi 37′, Plaku 73′ Dinamo: Kotorri, Diop, Pisha, Graniç, Nikoliç, Allmuça, Poçi, Çapja (Sina 75′), Ferraj (Haliloviç 81′), Plaku, Petriçeviç (Jusufi 46′). Trajner: Zllatko Daliç. Partizani: Shehi, Tafaj (Babamusta 61′), Pinari, Hallaçi, Pashaj, Capa, Kalari, Kastelani, Karapici (Ahmetaj 75′), Bakaj, Roma (Përlleshi 87′). Trajner: Hasan Lika. Gjyqtarë: A. Taullai, A. Pregja (Tiranë), G. Koka (Lezhë) Kartonë të verdhë: Plaku (2), Pisha, Çapja, Nikoliç/ Bakaj Karton i kuq: Plaku
.
25 Tetor 2008
Custom Search
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site