Lajme
Superliga
Kupa
Europa
Skuadra
Historia
Të rinjtë
Tė tjera
   
Java 7: Partizani - Bylis 1-1
   
nga Sporti Shqiptar  
   
19.10.2008  
   
 
   

 

Partizani - BylisPartizani dëshmon edhe një herë se është në krizë të plotë, jo vetëm për sa u përket rezultateve, por edhe marrëdhënieve brenda skuadrës, ku dominon tërësisht pasiguria dhe mungesa e bashkëveprimit. Në një stadium thuajse të boshatisur, ishte shumë e lehtë të dëgjoje debatet trajner-lojtar apo edhe të vetë lojtarëve me njëri-tjerin. Një skuadër në ditë të hallit! Bylisi jo vetëm që e meritoi barazimin (pavarësisht se penalltia e dhënë në favor të tyre nga ana e kryesorit Guçe lë shumë vend për dyshime), por tregoi diçka që Partizanit i mungon që nga starti i këtij sezoni, të qenit një skuadër.

Goli i vetëm për Partizanin i shënuar nga Karapici, golashënuesi më i mirë për kryeqytetasit, ishte shkëndija e vetëm e dritës në qiellin e errësuar të kampit të kuq. Momenti i daljes jashtë me karton të kuq nga ana Viktor Gjylës është dëshmia më e plotë e situatës në gjirin e Partizanit.

Nervozizmi dhe irritimi ka përfshirë stolin dhe lojtarët, ndërsa kjo gjë pasqyrohet te rezultatet e klubit të kuq. Dje, përballë Bylisit, Partizani dha një tjetër kopje të pamjes që tifozët kanë parë gjatë këtyre ndeshjeve të fundit. Bylisi nga ana tjetër mori një pikë me shumë vlera, që do t’i shërbejë si për klasifikimin, ashtu dhe për moralin. Pas shënimit të golit të parë, të kuqtë u tërhoqën thuajse tërësisht, sindromë e njohur kjo për Partizanin, duke u lënë dorë të lirë veprimeve sulmuese të miqve ballshiotë. Me fitoren e të kuqve mbyllet pjesa e parë.

Në pjesën e dytë trajneri Lika zëvendëson brazilianin Roma me Kalarin, por përsëri asgjë për të shënuar nga fronti i kuq. Episodi i 11-metërshit ishte vetëm një e keqe artificiale që i ndodhi Partizanit dje, pasi të keqen më të madhe të kuqtë e kanë brenda tyre, duke nisur nga koka e deri te më i fundit. 4 gola të shënuar në shtatë javë janë statistika më e varfër e Partizanit në dekadat e fundit dhe nuk është e tepruar po të shtojmë se nga dje, edhe më fanatiku i tifozëve ka ndier ngricën që sjell fundi i tabelës ku shikohen me frikë dyert e hapura të kategorisë së parë.

Me sa duket, edhe ndryshimi i stadiumit, pasi dje u luajt në “Selman Stërmasi”, nuk e solli fitoren e parë sezonale në kryeqytet. Tashmë Partizani duhet të bëjë llogaritë që të përballet me ekipe më të vështira se Bylisi i djeshëm. Natyrshëm tani te Partizani humbja nuk përbën më lajm, pasi ajo është pjesë e tyre, të paktën deri në merkaton e dimrit.

Radiografia
4′- Kastelani pason për Bakajn, që shmang dy mbrojtës miq më pas kombinon me Romën që gjuan, por topi përfundon jashtë.
10′- Muça nga e djathta e sulmit ballshiot lëshon një kros, godet me kokë Kabore dhe pret Shehi.
13′- Hallaçi nga e majta lëshon një kros në zonën e Bylisit dhe Karapici është më i shpejtë se portieri Egbo dhe mbrojtësi Kapaj dhe topi i goditur me kokë nga mesfushori i kuq përfundon në rrjetë. 1-0 për Partizanin.
18′- Capa provon nga larg, por jashtë.
21′- Nenaj përfiton nga një gabim i mbrojtësve të kuq, gjuan tokaz, por pret portieri Shehi.
28′- Hodo nga e djathta shërben për Dalipin, që e godet lehtë topin me kokë, por jashtë.
35′- Roma pason shkurt për Kastelanin, i cili mundohet të shërbejë për Brunon, për është më i shpejtë portieri Egbo, që e rrëmben topin.
45+1′- Karapici kombinon me Bakajn, që ndodhet në zonë mike, gjuan, por pret Egbo.
47′- Goditje dënimi për Bylisin. Gjuan Kapaj, por topi ndalet nga muri i futbollistëve të Partizanit.
49′- Bakaj provon nga larg, por asnjë rrezik për portën ballshiote.
54′- Stafa ka një dyluftim në zonë me Gjylën, bie në tokë dhe gjyqtari Guçe me vonesë akordon 11- metërsh. Topin nga pika e bardhë e gjuan Nenaj dhe barazim 1-1.
55′- Hallaçi lëshon një top në zonë dhe është Karapici, që e godet me kokë, por pret portieri Egbo.
62′- Goditje dënim për të kuqtë. Gjuajtja e Bakajt përfundon jashtë.
77′- Kalari humbet një rast shënimi, pasi portieri Egbo kishte dalë disi nga zona e tij, por gjuajtja e futbollistit të Partizanit përfundon shumë mbi traversë.
79- Është përsëri Kalari që shumë pranë portës mike nuk e finalizon si duhet aksionin, pasi topi i godituar nga ai ndalohet nga këmbët e mbrojtësve ballshiotë.
80′- Ahmetaj gjuan nga një distancë 20 metra, por topi përfundon jashtë.

Hasan Lika, trajner i Partizanit:
“ Kërkuam që ta fitojmë takimin, prandaj nuk mund të thuhet se jam i kënaqur me barazimin. Por na munguan ato që të çojnë te fitorja, që është interpretimi i duhur i lojës, pasimi i mirë, goditja e saktë. Kishim mungesa në mbrojtje, kemi vuajtur në disa momente, por gjithsesi duhet ta kishim fituar ndeshjen. Rezultatet dhe loja që zhvilluam tregojnë se jemi në vështirësi, që ju e quani krizë. Pra, pak a shumë ky është Partizani. Ndërsa për sa u përket gjykimeve, dua të them se jemi lodhur duke foluar për to, por siç e patë edhe sot, ata janë pjesë jona dhe nuk mund të na shkëputen.”

Hysen Dedja, trajner i Bylisit:
“Në dy javët e para që kam drejtuar Bylisin kam menduar se skuadra ka rrugë për të bërë, por ndaj Partizanit na dolën probleme psikologjike. Kemi zhvilluar një 90-minutësh jo të mirë, pavarësisht se rezultati në transfertë është i kënaqshëm. Kisha probleme me disa lojtarë në fushë, por besoj se duke parë gjendjen e skuadrave, them se Bylisi la dy pikë, pasi ne kemi një skuadër më të mirë dhe më të plotë se Partizani, që po kalon shumë probleme dhe është rreshtuar në një vend që nuk i takon emrit që mban.”

Debati Lika-Gjyla, pjesa tjetër e errët e Partizanit
Përveç lojës dhe rezultatit jo të mirë, dje të pranishmit në “Selman Stërmasi” kamë pasur mundësi të shikojnë një debat që la shije jo të mirë midis trajnerit Lika dhe futbollistit Gjyla. Duhet thënë se gjatë gjithë kohës trajneri Lika e ka lakuar disa herë emrin e Gjylës, madje në një rast i është afruar shumë pranë vijës anësore, duke shpjegur me gjeste të shumta.

Por momenti më i keq ndodhi kur lushnjari doli me të kuqe. Pas ndeshjes, lojtari nuk donte të fliste, pasi, sipas tij, debati fliste vetë. Ndërsa trajneri Lika u shpreh: “Konflikti me Gjylën vjen si rezultat i lojës jo të mirë të futbollistit. Besoj që t’i kërkosh llogari futbollistit nuk është konflikt.

Ne jemi trajnerë dhe kërkojmë që futbollistët të shprehen sa më mirë, pasi golin e avantazhit nuk e shënon as gjyqtari, që Gjyla justifikohej, as tifozët, te të cilët Gjyla po justifikohej se nuk po na e mban mirë. Gjyla është një futbollist, që ka kontribuar shumë për skuadrën, por nuk po gëzon një formë të mirë, ashtu si dhe disa lojtarë të tjerë.” Pra, Gjyla nuk është e keqja e vetme Partizanit, por ajo duhet kërkuar në kompleksitet.

Partizani - Bylisi 1-1
Shënues: Karapici 13′, Nenaj 54′ (11-m)
Partizani: Shehi, Hallaçi, Shala, Pashaj, Gjyla, Kastelani, Capa, Krarapici (Babamusta 94′), Bakaj, Roma (Kalari 46′), Bruno (Ahmetaj 66′). Trajner: H. Lika
Bylis: Egbo, Driza, Nevez, Hodo, Muça (Besha 73′), Kapaj, Kabore (Bakiu 64′), Kule, Nenaj, K. Dalipi, Kuçi (Stafa 40′). Trajner: H. Dedja
Gjyqtarë: Sh.Guçe (Lushnjë), D.Salaj (Shkodër), E.Pjetrushi (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Shehi, Capa, Bakaj, Gjyla (2), Egbo, Kapaj
Karton i kuq: Gjyla
.

 

19 Tetor 2008

   
Custom Search
   
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site