Lajme
Superliga
Kupa
Europa
Skuadra
Historia
Të rinjtë
Tė tjera
   
Lika nis mbushjen e “gropave” për Bylisin
   
nga Sporti Shqiptar  
   
09.10.2008  
   
 
   
   

 

Hasan LikaTakimin e fundit të kuqtë e zhvilluan në Vlorë, ku përveç humbjes 1-0, skuadra u reduktua edhe më shumë në organikë, pasi dy mbrojtësit me eksperiencë, Luan Pinari dhe Fatjon Tafaj, u ndëshkuan me kartonë të kuq, ose më saktë me dy të verdha. Ndëshkimet e dy mbrojtësve nuk erdhen si rezultat i lojës së rëndë ndaj kundërshtarit, por për replika me gjyqtarin e takimit. Prej kohësh flitet se në ndeshjet ku luan Partizani, gjyqtarët përdorin dy standarde, pasi të kuqve u rrinë strikt, ndërsa për kundërshtarët gjenden edhe lehtësira.

Shembulli më konkret është kartoni i parë i verdhë, që ka marrë mbrojtësi Tafaj në takimin me Flamurtarin. Gjyqtari i paralajmëron futbollistët në rastin e 11-metërshit që kush hyn në zonë pa u goditur topi nga pika e bardhë do të ndëshkohet me të verdhë. Por në këtë rast janë tre vlonjatë, që e thyejnë këtë rregull dhe mbrojtësi Tafaj i kujton gjyqtarit Jemini urdhrin që dha, por ky nuk i ndëshkon futbollistët e Flamurtarit, po pikërisht lojtarin e Partizanit. Megjithëse këto detaje duken të vogla, impakti i tyre te Partizani është shumë i madh, pasi trajnerit Hasan Lika i duhet që për takimin me Bylisin t’i bëjë llogaritë pa dy mbrojtësit me eksperiencë. Përpara se të vinte mungesa e dyshes Pinari-Tafaj, trajneri Lika kishte edhe plot probleme të tjera për zgjidhur në skuadër, pasi dihet se në gjashtë javë të para kanë marrë vetëm katër pikë dhe tashmë mbyllin tabelën e klasifikimit. Në këtë dy seanca të para të kësaj jave shikohet një impenjim i madh i futbollistëve të kuq si dhe i stafit trajnues, por nuk dihet se çfarë rezultati do të merret në përballjen me ballshiotët. Është e sigurt se ndaj Bylisit, Partizani do të kompozohet përsëri, madje ndryshimet do të jenë të mëdha, pasi edhe mungesat për momentin janë të konsiderueshme, Pinari, Tafaj dhe Bakaj. Duke parë këtë “gropë” që është krijuar, trajneri Lika ka nisur punën për të gjetur lojtarët e përshtatshëm, kryesisht në mbrojtje. Në të kaluarën, lezhjani Malota është provuar në vijën difensive, por për momentin po stërvitet i diferencuar, megjithatë po testohen lojtarë të tjerë. Nëse ndaj Flamurtarit Gjyla luajti si mesfushor i djathtë, ka shumë mundësi që të zhvendoset në mbrojtje, duke iu bashkuar Hallaçit dhe Shalës. Në dyshim mbetet se kush do të luajë në qendër përkrah shtatlartit Rajmond Shala. Gjatë seancave të këtyre ditëve, trajneri Lika ka provuar në këtë rol të riun Andrelis Pashaj, i cili është produkt i akademisë “Partizani” dhe në sezonin e fundit ka pasur një eksperiencë me Skënderbeun. Sipas të gjitha gjasave, do të jetë 21-vjeçari Pashaj ai që do të luajë në qendër të mbrojties në përballjen me Bylisin. Përveç mbrojtjes, theksi i punës së trajnerit Lika shtrihet në të gjitha pozicionet, pasi deri tani Partizanit i ka munguar harmonia e kolektivitetit, gjë e cila pritet të konfirmohet përsëri, duke nisur nga takimi i radhës.

Shkurt
- Ndryshe nga e marta, dje të kuqtë janë përgatitur në qendrën stërvitore të ekipeve kombëtare në Kamëz. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe sot, ku seanca e radhës do të nisë në orën 13:00. Elis Bakaj është e vetmja mungesë te të kuqtë, pasi dihet se sulmuesi është i grumbulluar me ekipin kombëtar.
- Portieri dhe njëkohësisht kapiteni i skuadrës, Orges Shehi, e ka ndërprerë në mes stërvitjen e djeshme, pasi gjatë pritjes së një topi ka pësuar një dëmtim të lehtë. Mendohet se sot portieri do të bashkohet me grupin për të vazhduar përgatitjet për takimin e radhës.
- Gjatë seancës së djeshme stërvitore të kuqtë kanë kryer edhe disa testime shpejtësie. Të gjithë lojtarët u janë nënshtruar matjeve të garave të 30 dhe 60 metrave. Rezultatet e këtyre garave janë monitoruar nga trajnerët Lika-Gëzadari, ku janë mbajtur shënim edhe rezultatet e gjithsecilit. .

 

9 Tetor 2008

   
Custom Search
   
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site