Përfundon me fitoren e Flamurtarit takimi i luajtur në Vlorë, ndërsa episodi që vendosi fatin e ndeshjes ka qenë një 11-metërsh i fituar fillimisht nga Shehaj dhe më pas i konkretizuar në gol nga ana e Brajkovic. Me këtë fitore kuqezinjtë e trajnerit Kovaçiç marrin tri pikë mjaft të rëndësishmedhe ngjiten në klasifikim. Ndërsa Partizani vijon të mbetet në ujra të turbullta edhe pse në ndeshjen e Vlorës, sidomos në pjesën e dytë ka luajtur mirë, por pa arritur të ketë siguri dhe rrezikshmëri në repartin e avancuar.
45 minutat e para janë të mira për vlonjatët, të cilët kërkojnë golin e avantazhit, gol të cilin e gjejnë në minutën e 31 të. Deri në këtë moment vlonjatët janë zotër të fushës, madje kanë edhe një tjetër mundësi me anë të sulmuesit të ri Shehaj. Goli sjell qetësi tek vlonjatët, të cilët luajnë më të sigurt, ndërsa zgjohen miqtë, të cilët në fund të pjesës së parë kanë dy mundësi që i rrezikojnë, por pa arritur, pasi Moçka është i saktë. Pjesa e dytë nis me të njëjtat formacione, ndërsa miqtë kërkojnë dhe hedhin më shumë vëmendjen nga porta vlonjate, por vetëm një rast i Pinarit është shumë pak.
Nga ana tjetër vlonjatët kërkojnë të diktojnë dhe në njëfarë mënyre ia arrijnë qëllimit, duke e mbajtur Partizanin larg portës së Moçkës. Ndërsa me futjen e Pemës vendasit kërkojnë të realizojnë kapjen në befasi me kundërsulm, por pa ja arritur qëllimit. Minutat e fundit sjellin edhe tension tek Partizani, ku ndëshkohen me karton të kuq Tafaj dhe Pinari, ndërsa edhe për Flamurtarin vijnë plot katër kartonë të verdhë. Fundi i ndeshjes sheh rezultatin 1 0 për vlonjatët, që i gëzohen fitores dhe miqtë që pësojnë një tjetër humbje.
Megjithëse loja nuk u ngjit në nivelet e kërkuara, sportëdashësit vlonjatë i janë gëzuar fitores dhe tri pikëve. Ndërsa, për sa i përket lojës, vlonjatët kanë ende për të përmirësuar, kurse miqtë treguan se kanë mundësinë të ndryshojnë në takimet e ardhshme. Me këtë fitore Flamurtari shkon në kuotën e nëntë pikëve dhe ngjitet në vendin e gjashtë. Ndërsa kjo humbje i ka kushtuar shumë Partizanit, pasi mbetet po në kuotën e katër pikëve dhe ndan vendin e fundit me Bylysin.
Pra dje Flamurtari ia thelloi më shumë krizën Partizanit, pasi për armatën e madhe të tifozëve të kuq, pozicioni që mban skuadra e tyre e zemrës është më se e papranueshme. Në këtë takim të kuqtë janë goditur në shumë aspekte, pasi përveç humbjes dhe zbritjes në vendin e fundit, për takimin e radhës nuk do të kenë në dispozicion dy mbrojtësit, Luan Pinarin dhe Fatjon Tafajn, që u ndëshkuan me kartonë të kuq.
Dje vlonjatët kanë korrur fitoren e tretë në këto gjashtë javë kampionat, ndërsa Partizani është ndëshkuar për herë të katërt. Dihet që kampionati do të ndërpritet për një javë, për shkak të grumbullimit të ekipit kombëtar, kështu që të dy ekipet, kryesisht Partizani, do të kenë mundësi që të rregullojnë disa gjëra përpara takimeve të radhës që do të luhen me 19 tetor.
Radiografia
10′ Alvizh në zonë, Mema del fitues me Shehin, por goditja e tij me kokë përfundon mbi traun e portës.
16′ Shehaj në zonë e kalon topin në të majtë dhe godet, ndërhyn Shala që përpak shënon në portën e tij, por topi përfundon ngjitur me shtyllën dhe vetëm korne.
27′ Veliu ka hapësirë, pasi shërbehet nga Brajkovic avancon, por më i shpejtë Shala, që largon topin jashtë vizave kufizuese.
30′ Top për Shehaj në zonë, ky i fundit shmang Tafajn, por ndërhyrja e mbrojtësit është e gabuar sipas gjyqtarit Jemini dhe penallti për vlonjatët.
31′ Brajkoviç përballë Shehit godet saktë në të kundërt të portierit, duke realizuar 1 0.
35′ Goditje dënimi për Partizanin. Pinari në zonë preket nga Mema, por në çastin e fundit Moçka largon saktë në korne.
45′ Goditje dënimi për miqtë. Topi në zonë përfundon tek Bruno, që godet me të majtën, por pret i sigurt Moçka.
51′ Kërkon të përfitojë Partizani pas një goditje këndi, është braziliani Bruno që godet, por jashtë pa rrezikuar portën vlonjate.
60′ Pinari ka mundësinë më të mirë. Topi i goditur me kokë pas gjuajtjes nga këndi pritet mrekullisht nga Moçka, ndërsa më pas është Veliu që largon rrezikun nga porta vlonjate.
65′ Goditje dënimi për Flamurtarin. Brajkoviç në zonë, fillimisht Shehi nuk arrin, ndërsa më pas Hallaçi largon në korne.
72′ Partizani nga krahu i majtë, në zonë Gjyla, por asnjë prej sulmuesve të Partizanit nuk arrin topin që zotërohet nga Moçka. 84′ Sërish Gjyla në zonë, këtë rradhë Tafaj me kokë, por topi sërish jashtë.
88′ Pema kërkon të avancojë në të djathë pas një kundërsulmi, por më të shpejtë mbrojtësit miq.
90′ 93′ Partizani ndëshkohet me dy kartonë të kuq, fillimisht Tafaj dhe më pas Pinarin lënë ekipin me 9 futbollistë, ndërsa përpjekjet e fundit janë të dëshpëruara dhe nuk sjellin asgjë.
Deklaruan Sllatko Kovaçiç, trajner i Flamurtarit: “Jam i kënaqur me faktin që lojtarët japin zemrën në fushën e lojës, por jo me rrjedhën e lojës, pasi nuk i kënaqëm sportëdashësit. Normalisht jemi në ngërç. Do të kisha dëshirë që kjo ndeshje të përfundonte me një tjetër rezultat, por nëse duhet të arrijmë në të tilla nivele atëherë lojtarët duhet të zbatojnë mendimet e trajnerit. Futbolli është një lojë, ku jo gjithçka ndryshon sot për nesër. Kemi një ekip me lojtarë të rinj në moshë, të cilëve, gjithsesi ju duhet eksperienca në ndeshje të tilla. Jam i kënaqur, e them për tri pikët, por jo me lojën. Ndërsa, nga dita e sotme në mendjen time është ndeshja e ardhshme, të cilën do ta luajmë në transfertë me Apoloninë.” Hasan Lika, trajner i Partizanit: “Loja e të dyja skuadrave ishte pranë njëra-tjetrës. Flamurtari shënoi një gol, ku secili ka pretendimet e tija, ndërsa mendoj se në atë moment një lojtar i yni ishte i rrëzuar përtokë dhe duhej ndaluar loja. Zhvilluam një lojë më të mirë se herët e kaluara edhe pse kemi ende për të përmirësuar. Mendoj se e meritonim të paktën barazimin. Në pjesën e dytë ishte një tërheqje taktike e Flamurtarit, ku në këtë pjesë skuadra dha diçka më shumë në fushën e lojës. Kemi pasur më shumë epërsi në këtë pjesë dhe mendoj se duhej që të paktën të merrnim një barazim, pasi kemi luajtur diçka më mirë se në ndeshjet e tjera.”