Tirana ka fituar dje me rezultatin 2-1 në derbin për
ballë rivalit historik, Partizanit, duke shënuar kështu
një minihakmarrje për dy disfatat e pësuara edicionin
e kaluar. Një fitore ajo e djeshmja e bardhebluve që,
gjithsesi, ka qenë aq e zbehtë, sa nuk është ndikuar thuajse
aspak nga emrat e mëdhenj në kontingjent, milionat e shpenzuar,
dobësimi i kundërshtarit më të betuar në merkato, Partizanit,
dhe as inferioriteti numerik i të kuqve gjatë gjithë
pjesës së dytë të takimit.
Realisht ka qenë vetëm fati ai që dje
ka mbajtur ngjyrat bardheblu, duke favorizuar Tiranën në
atë fitore të sekondave të fundit. Një gol në minutën e 90’ për
bardheblutë dhe një traversë
në të 94’ për Partizanin, janë
dy detajet që dëshmojnë më
së miri mënyrën se si është
përcaktuar fati i këtij derbi.
Nga ana tjetër, skuadra e
Partizanit që nuk shihej
aspak si favorite në këtë duel,
pasi konsiderohej thuajse e
zhveshur pas largimit të ishtitullarëve
e liderëve të sezonit
të kaluar, i ka rivalizuar
dje bardheblutë mëse denjësisht.
Treshja braziliane e prezantuar
në përballjen e
djeshme, njëlloj si me një shkop
magjik ka ndërtuar një
Partizan pretendent dhe në
disa raste superior ndaj Tiranës,
ndonëse suksesi i tyre
u limitua vetëm në pësimin e
një humbjeje dinjitoze përballë
bardhebluve. Tirana superiore
në mënyrë të ndjeshme
ndaj Partizanit gjatë të gjithë pjesës së parë të takimit, ka arritur
të kalojë në avantazh që në minutën e 20’ me anë të Xhafajt.
Krejt ndryshe nga fraksioni i parë i lojës, pjesa e dytë e ka
shfaqur një Partizan më ofensiv, pavarësisht inferioritetit numerik
pas daljes së Kalarit me karton të kuq që në minutën e
47’.
Një ritëm loje i të kuqve ky, që është shpërblyer me golin e
shënuar nga Bruno në minutën e 59’. Ndërkohë Tirana, ndonëse
superiore numerikisht, ka zhvilluar një lojë jo pak të çorientuar.
Megjithatë, falë një presingu në zonën e të kuqve në minutën e
90’, bardheblutë kanë kaluar në avantazh me një gol të Andi
Lilës, që ka qëndruar në fuqi, duke i dhënë Tiranës fitoren, pavarësisht
përpjekjes së fundit të Partizanit në të 94’, kur Bakaj
goditi traversën e portës së mbrojtur nga Nallbani.
Minutat
3’ - Brenda vetëm një minute, skuadra e Partizanit rrezikon portën bardheblu
me të njëjtin protagonist, brazilianin Roma, i cili nuk arrin të finalizojë me gol.
8’ - Është A.Lila që kroson nga e djathta për Memellin në zonë, i cili
godet me kokë dhe realizon, por gjyqtari anulon golin.
19’ - Është sërish Agolli që shërben nga e majta një top në gjysmë
lartësie për Xhafajn e pafat, që gjuan dhe godet shtyllën.
20’ - Xhafaj korrigjon gabimin dhe arrin të realizojë golin e avantazhit
për Tiranën. I vetëm përballë Shehit, sulmuesi vlonjat tregohet
i saktë dhe dërgon topin në rrjetë.
32’ - Brazilianët e Partizanit dhurojnë spektakël dhe rrezikojnë portën e
Tiranës. Është Roma ai që dhuron një asist në zonë për Brunon, i cili
shumë pranë portës i vetëm përballë Nallbanit gjuan fort, por mbi traversë.
49’ - Partizani sulmon me brazilianin Roma, i cili në hyrje të zonës gjuan
fort, por pret Nallbani.
59’ - Braziliani Bruno përfiton maksimalisht nga një gabim i Kcirës
në mbrojtje dhe i vetëm përballë Nallbanit dërgon topin në rrjetë,
duke barazuar shifrat në 1-1.
70’ - Memelli pason te Muzaka. i cili kroson në zonë për Xhafajn që
godet me kokë, por grushton fort Shehi.
90’ - Andi Lila bën mrekullinë dhe kalon Tiranën sërish në avantazh,
pasi shfrytëzon më së miri krosin e Muzakës.
90’+4 - Fati nuk është me Partizanin dhe Bakajn, i cili në momentet e
fundit të takimit, me një gjuajtje në hyrje të zonës, godet traversën
e portës së Tiranës.
Tirana - Partizani 2-1
Golat: Xhafaj 20', A.Lila 90'/ Bruno 59' Tirana: Nallbani, Abraham (21' Kcira), Osmani, Dabulla (49' Pashaj),
A.Lila, Agolli, Devolli, Pezo, S.Lila (62' Muzaka), Memelli, Xhafaj
Trajner: Blaz Slishkoviç Partizani: Shehi, Hallaçi, Tafaj, Gjyla, Pinari, Karapici, Kalari,
Bakaj, Bruno, Kastelani (63' Capo), Roma (78' Ngjela)
Trajner: Genc Tomorri Gjyqtaret: Ervis Peza, Genc Maloku, Sokol Avdo K. te verdhe: Nallbani, A.Lila, Devolli, Pezo/ Tafaj, Kalari. K. te kuq: Kalari
14 Shtator 2008
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site