Lajme
Superliga
Kupa
Europa
Skuadra
Historia
Të rinjtë
Tė tjera
   
Java 2: Partizani - Vllaznia 1-2
   
nga Panorama Sport  
   
31.08.2008  
   
 
   

 

Gjergji MuzakaNjë ish si Paulin Dhëmbi i bëri Partizanit të“qajë” humbjen e parë të këtij kampionati, pikërisht në sfidën ndaj Vllaznisë. Të kuqtë nuk arritën të rikuperojnë disavantazhin e dyfishtë të shkodranëve, duke shijuar një hidhërim në “Qemal Stafa”. Sinani dhe Dhëmbi shënuan për formacionin e Agim Canajt, ndërsa për ekipin e Hasan Likës shkurtoi diferencën Artan Karapici në të dytin gol personal, pas atij të javës së parë kundër Lushnjës. Më në fund ia dolën të triumfojnë kuqeblutë nga Shkodra, teksa provuan për gati dy javë pesë sfida, njëra më e fortë se tjetra.

Pasi kishin zhgënjyer në katër ballafaqimet e mëparshme, në atë që mbylli muajin gusht dhe që u luajt në stadiumin kombëtar“Qemal Stafa”, nuk kanë dështuar. Përmes paraqitjes së realizuar ndaj Partizanit, kuqeblutë kanë ditur të reagojnë si duhet për të prishur bilancin e deritanishëm që nuk fliste pozitivisht. Me një sulm të udhëhequr nga Sinani dhe mbrojtje të pakalueshme, djemtë e Canajt kanë ditur të zgjidhin gjithçka në favorin e tyre. Sfida ndaj të kuqve shihej edhe si një test i vërtetë për stafin teknik, i cili është lëkundur pikërisht për shkak të rezultateve. Për të kurorëzuar me sukses këtë etapë të dytë të kampionatit, shkodranët i ndihmoi edhe gjendja jo në lartësinë e duhur e Partizanit. Kundrejt një Vllaznie të furishmeështë vënë re një kundërshtar thuajse i pafuqishëm për të vizituar rrezikshëm zonën përpara Grimës.
Në një farë mënyrë ka ndikuar koha e paktë që kanë patur në dispozicion disa lojtarë të sapoardhur. Por gjithashtu edhe disa zgjedhje të bëra nga trajneri Lika, i cili ka preferuar të servirë një mesfushë robuste, me Karapicin që përpiqej të mbështeste Ngjelën disi të izoluar në sulm. Për të mos folur pastaj për ngulmimin te Capo si mesfushor qendror, kur roli i tij i vërtetë është ai i mbrojtësit. Ndërkohë nuk është preferuar të merren qoftë në stol brazilianët e sapoardhur, apo edhe Xhulian Rudho. Sikur të mos mjaftonte kaq nuk kurseu as fati i keq, me dëmtimin e Bakajt pas vetëm disa minutash lojë. Në këtë situatë, dy javët e ndërprerjes së kampionatit vijnë si një frymëmarrje për të kuqtë, të cilët gjithsesi duket se kanë shumë punë për të bërë.

Minutat
3’ Smalji nga e djathta lëshon një top në zonë për Sinanin, i cili gjuan pak mbi traversë
5’ Sinani provon të befasojë Shehin me një gjuajtje të furishme, megjithatë portier i kuq tregohet vigjilent.
20’ Pinari heq topin nga këmbët e Sinanit, që po përgatitej të gjuante, pasi doli i vetëm para portës së Partizanit.
23’ Sinani arrin të përfitojë nga një huq i mbrojtjes së kuqe dhe del në pozicion për të shënuar, duke mos falur: 0-1
30’ Sinani ekzekuton një goditje dënimi nga e majta, duke shënjestruar direkt portën, por Shehi neutralizon në dy kohë.
49’ Hallaçi nxjerr Karapicin të vetëm përballë Grimës, por gjuajtja e tijështë tepër diagonale.
51’ Top i rrëmbyer në mesfushë nga Dhëmbi, i cili pason në të djathtë për Sinanin që depërton dhe ia kthen sërish ish-mesfushorit të kuq, i cili i vetëm brenda zonës lëshon një gjuajtje fluturimthi, me Shehin e mposhtur: 0-2,
57’ Pas një aksioni të rrezikshëm shkodran, Sinani shfaqet në një pozicion të prirët për shënim, megjithatë Shehi nuk lejon t’i preket rrjeta.
61’ Mbrojtja kuqeblu largon topin pas një goditjeje dënimi të Bakajt. Topi përfundon te Karapici, i cili nga jashtë zonës, nuk mendon dy herë për ta goditur në të majtë të portës së Grimës: 1-2.
68’ Capo nga 20 metra provon të befasojë portierin shkodran, me topin që vetëm qeth shtyllën e djathtë të Vllaznisë.
87’ Goditje dënimi e Karapicit nga e majta e sulmit. Mesfushori përpiqet të realizojë direkt, por topi kalon vetëm pak mbi traversë.

PARTIZANI VLLAZNIA 1-2
Golat: Karapici 61’/ Sinani 23’, Dhëmbi 51’
Partizani: Shehi, Hallaçi, Pinari, Malota, Tafaj; Kalari, Capo, Babamusta (58’ Përlleshi), Karapici, Gjyla, Ngjela (46’ Bakaj, 70’ Karabeci) Trajner: Hasan Lika
Vllaznia: Grima, Lici, Bashiç, Beqiri, Smajli; Belisha (58’ Doçi), Dhëmbi, Nallbani, Kaçi (40’ Osja), Bodua, Sinani (80’ Hoti) Trajner: Agim Canaj
Gjyqtaret: B.Pashaj, S.Avdo (Tiranë), S.Banaj (Durrës)
.

31 Gusht 2008

   
Google
 
   
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site