Ne tifozat e Partizanit kemi ndjekur me vëmendje situatën e krijuar mes klubit dhe futbollistit të skuadrës sonë, Gjergji Muzaka. Duke i ditur dhe duke e mirëkuptuar për arsyet që e kanë shtyrë që të marrë vendimin për të mos dalë në stërvitje (nuk po e shpjegojmë në këtë letër pasi është e ditur për të gjithë) mendojmë se ka ardhur koha që kjo çështje të marrë një zgjidhje.
Ne tifozat e flaktë të Partizanit i kërkojmë publikisht Gjergji Muzakës që të qëndrojë në skuadër. Dashuria dhe përkrahja jonë për të nuk ka munguar asnjherë, prandaj do të na thyhej zemra po ta shihnim atë të veshë një fanellë tjetër nga ajo e Partizanit.
Me qindra futbollista kanë ardhur e kanë ikur nga Partizani, shqiptarë e të huaj, madje shumë prej tyre as emrat nuk ua mbajmë mend, por Gjergji Muzaka është gjaku ynë, dhe largimi i tij do na lëndonte shumë, aq më tepër nëse do të vishte fanellën e ndonjë prej skuadrave tona rivale.
Gjergji Muzaka duhet të dijë se ai nuk është thjesht një futbollist profesionist. Te Partizani ai ka qenë dhe është shumë më tepër se kaq në këto vite. Kur përmendet emri i Muzakës, gjithkujt i shkon menjëherë mendja te Partizani.
Kudo që të shkojë (shpresojmë shumë që kjo të mos ndodhë) nuk ka për të gëzuar këtë status që ai ka tani në zemrat e tifozave të Partizanit.
Në historinë e tij të lavdishme Partizani ka pasur shumë raste që futbollistë janë larguar, por ata që që edhe sot e kësaj dite kujtohen me dashuri janë ata që kanë qëndruar me ne dhe sëbashku kemi shkruar historinë. Partizani do të ekzistojë edhe nëse Gjergji Muzaka largohet, por jemi të bindur se Gjergji Muzaka nuk do të jetë i njejti pa Partizanin.
Rri me ne Gjergji të fitojmë sëbashku titullin. .
19 Gusht 2008
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site