Synohen afrime me kosto të ulët ndërsa vazhdon eksodi
nga Panorama Sport
06.08.2008
Të paktën për një ditë,
në kampin e Partizanit është vendosur “paqja” përsa i takon frontit të
tifozëve, megjithatë gjendja
përreth skuadrës vazhdon të
nxehet. Sikur të mos mjaftonin
largimet e deritanishme, nën zë
edhe një pjesë e lojtarëve të mbetur
kanë lënë të kuptohet idenë
që kanë për të lëvizur, pasi durimi
ka sosur. Megjithëse vazhdojnë
të paraqiten në stërvitje,
më tepër me qëllimin për të
mbajtur veten në formën e përshtatshme
fizike.
Madje në
ndryshim nga një ditë më parë,
në seancën e zhvilluar pasditen
e djeshme, janë paraqitur edhe
Elis Bakaj e Rahman Hallaçi.
Kjo është perceptuar si një sinjal
pozitiv nga ato pak tifozë të
pranishëm, megjithatë duket
se në të vërtetë për asnjërin
prej tyre nuk do të thotë se është shuar ideja e largimit, po
ashtu si për pjesën tjetër të atij
grupi lojtarësh që kanë mbetur
nga sezoni i kaluar. Vërtet
mund të kenë ende kontrata
me klubin e kuq, megjithatë në
bazë të rregullores, përderisa
nuk paguhen prej pesë muajsh,
kanë të drejtën e prishjes
së njëanëshme.
Klubi
Presidenti Xhani, pasi hodhi “gurin” në përfundim të
ndeshjes me Shirokin, duket se
ka “fshehur dorën”. Të paktën
fizikisht vazhdon të mos
shfaqet në klub, pavarësisht se
si zakonisht mund të lëshojë
vetëm fjalë në distancë.
Ndërkohë, vetë ata drejtues që
duken në klub, nga tekniku
Lika e deri te zv./presidenti
Birçe, duken të vetëdijshëm se
gjendja nuk është aspak e mirë.
E megjithatë, për momentin
nuk duket se kanë ndërmend
të dorëzohen lehtë. Ndonëse
nëse gjërat do të vijojnë të
përkeqësohen nuk përjashtohet
edhe që sidomos trajneri të
vendosë të shkëputet.
Sidoqoftë, deri tani, sipas
burimeve afër klubit të kuq,
mësohet se ideja është për realizimin
e një fushate përforcimi
pa emra të mëdhenj. Qëllimi është afrimi i 4-5 lojtarëve,
të cilët mund të jenë të rinj, edhe
pa shumë përvojë, por mbi të
gjitha kërkohen të denjë për të
veshur fanelën e kuqe. Sipas
krerëve të klubit, kaq do të mjaftonte
për të plotësuar kontigjentin
aktual dhe për të realizuar
një sezon dinjitoz. Por çështja për momentin është
nëse do të qëndrojnë edhe ata
futbollistë, që kanë mbetur aktualisht
në stërvitje?.
6 Gusht 2008
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site