Pezullohen 4 lojtarë, Xhani i drejtohet Prokurorisë
nga Balkanweb
03.08.2008
Presidenti i Partizanit Albert Xhani ka pezulluar katër futbollistë, duke i akuzuar se kanë shitur ndeshjen me Shiroki Brijeg, në turin e parë të Kupës UEFA. Vendimi është marrë pas një mbledhje të zhvilluar të premten pasdite, ku janë parë kasetat e ndeshjes dhe është vendosur pezullimi pa afat, deri në zbardhjen e çështjes për katër lojtarë. Ata janë kapiteni Ardit Beqiri, mesfushorët Paulin Dhëmbi e Gjergji Muzaka si edhe mbrojtësi Tefik Osmani. Veç kësaj, Xhani i është drejtuar Prokurorisë që të zbardhë telefonatat që kanë bërë këta futbollistë përpara ndeshjes, duke treguar se ka ndërmend t'i shkojë deri në fund kësaj çështje.
Pezullimi
Pas ndeshjes me Shiroki Brijeg, presidenti i të kuqve Albert Xhani tha se "lojtarët i shitën ndeshjen" dhe se do të merrte masa të ashpra ndaj tyre. Vendimi i parë ka qenë pezullimi i 4 futbollistëve, pas një mbledhje të zhvilluar të premten. Janë parë një nga një kasetat dhe dyshimet e kreut të të kuqve kanë shkuar te 4 prej futbollistëve kryesorë të ekipit. Kështu, Paulin Dhëmbi, Ardit Beqiri, Gjergji Muzaka dhe Tefik Osmani janë zyrtarisht katër të dyshuarit kryesorë nga ana e presidentit të Partizanit për shitjen e ndeshjes me Shirokin. Në mbledhjen e zhvilluar të premten, ai ka kërkuar pezullimin pa afat të tyre, deri në zbardhjen përfundimtare të kësaj çështje. "Nëse do të rezultojnë fajtorë, atëherë këta futbollistë do të dënohen dhe UEFA do të ketë në dorë emrat e tyre për të mos i lejuar të aktivizohen me asnjë klub tjetër", tha një burim i sigurtë në klubin Partizani. Pezullimi gjithsesi mund të jetë i një kohe të shkurtër, ndoshta sa të qartësohen disa gjëra të çuditshme që presidenti Xhani mendon se kanë ndodhur gjatë ndeshjes.
Prokuroria
Për të vërtetuar akuzat e ngritura prej tij në përfundim të ndeshjes ndaj Shiroki Brijeg në Kupën UEFA, presidenti i Partizanit kërkon edhe ndihmën e Prokurorisë. Ai do të kërkojë zbardhjen e telefonatave të bëra nga futbollistët e tij para ndeshjes dhe që do të mund të tregojnë nëse vërtetë ndeshja është shitur apo jo. Problemi në këtë rast mbetet mungesa e ligjit për shitje të ndeshjeve, por nëse organi i akuzës bën zbardhjen e telefonatave, mund të dalë hapur se çfarë ka ndodhur, nëse vërtetë ka pasur një paracaktim të rezultatit apo jo. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta në klubin e kuq, që kanë saktësuar se kësaj çështje do t'i shkohet deri në fund dhe se vetë presidenti duket më i binduri për ta bërë një gjë të tillë. Gjithsesi, në fund dënimi mund të jetë vetëm sportiv dhe jo penal. .
1 Gusht 2008
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site