Xhani vendos çmimin e kartonit për Bakaj dhe Muzakën: I pari 1 mln, i dyti 400 mijë euro.
Albert Xhani ka pasur gjithnjë një ëndërr. Mes të shumtave në fushën e futbollit. Ti afrohet klubeve evropiane me shitjen e një futbollisti në perëndim. Deri tani ka hedhur vetëm ndonjë hap të vogël. Ka shitur Malindin për 40 mijë euro. Por ëndërra shkon me një shifër me 6 zero në fund. Mund të jetë edhe një gabim sepse 1 milionë euro nga transferimi i Bakajt apo 400 mijë euro nga transferimi i Muzakës mund të mos i përfitojë kurrë, megjithatë presidenti e provon. Deri në kokëfortësi.
Xhani e di që lojtarët e tij janë në merkato dhe kërkohen nga shumë klube, por kjo nuk e bezdis, përkundrazi e gëzon. “Kjo do të thotë që kemi futbollistë të mirë – të thotë – futbollistë që i duan të gjithë”. Dhe i kthehet kundërshtarit direkt të vitit të shkuar. “Më thoni sa lojtarë të Dinamos kërkohen nga jashtë”. Dinamo mënjanë, presidenti tregon tratativat për futbollistët që ka nën kontratë. “Kemi pasur oferta konkrete, mbi të gjitha për Bakajn dhe Muzakën. Por shuma që i është ofruar Partizanit në të dyja rastet nuk ka qenë më shumë se 200 mijë euro. Me një shumë të tillë lojtarët nuk lëvizin, ta harrojnë ata vetë e menaxherët apo skuadrat që qëndrojnë mbrapa”. Po sa është çmimi. “Për Bakaj kam kërkuar 1.5 mln euro, megjithatë do isha i kënaqur edhe me 1 milionë. Ndërsa Muzakën pa 400 mijë euro nuk e lëshoj. Është një ndër investimet e mia dhe të Partizanit më të mëdha”.
Kontratat
Të dy lojtarët kanë edhe vite të tjera kontratë me skuadrën e kuqe. Çka do të thotë se klubi mund të luajë fort këtë verë duke shpresuar që çmimi i lojtarëve mund të rritet në të ardhmen. Është e qartë që të dy lojtarët kërkojnë të largohen nga Partizani për një aventurë mbi të gjitha ndërkombëtare megjithatë presidenca nuk i jep leje kalimi. Lojtarët shpresojnë që deri në 31 gusht Partizani të ulë vlerën e kartonit dhe në këtë mënyrë klubet e huaja të afrohen më lehtë. Në të kundërt ata duhet të zhvillojnë edhe një vit tjetër si futbollistë në kampionatin shqiptar.
Presidenca
Xhani e di fort mirë se të fitojë aq para është e vështirë, megjithatë sipas tij argumentat për këto shifra janë mëse të justifikueshme. “Ne kemi investuar para dhe shumë gjëra kemi sakrifikuar për këta dy futbollistë. Unë e kuptoj që kushdo dëshiron të largohet në parametra zero , por futbolli dhe klubi kanë rregulla. Pastaj nga ana sportive unë i dua fort dhe prandaj unë dua që të qëndrojnë të kuq. Unë nuk shes kungulla, dhe them se edhe vetë lojtarët do fyheshin nëse unë do jepja leje kalimi per ta për 50 mijë euro”.