Bubalo: “Shpresoj që ata të sulmojnë”
Nga barazimi me Partizani tashmë ka kaluar një javë por në stadiumin “Pecara” akoma ankohen për rastet e humbura. Të vetëdijshëm se një gol i shënuar në ndeshjen e parë do t’u jepte atyre përparësi psikologjike. Por megjithatë ata e dinë akoma asgjë nuk ka mbaruar.
Një prej futbollistëve më me përvojë, sulmuesi Stanko Bubalo, thotë se ka shpresuar për një fitore, por pranon se Shiroki ka qenë me fat në fund kur Partizani ka goditur shtyllen.
“Kemi pasur më shumë raste por nuk arritëm që të shënojmë. Të themi të drejtën kemi mundur edhe ta humbasim ndeshjen, por besoj që rezultati na jep shpresë për të kaluar turin”, ka thënë Bubalo.
“Goli ynë vlen dyfish”
Shqiptarët para se të udhëtonin në “Pecara” ishin një e panjohur e madhe. Tashmë nuk janë të tillë.
“Ka disa lojtarë që më kanë bërë përshtypje. Krahu i tyre i majtë Muzaka, sulmuesi Bakaj... Portieri i tyre (gjithashtu Bakaj) edhe pse shtatshkurtër, shkëlqyeshëm e kryen punën e tij. Janë një ekip i mirë dhe na pret një ndeshje e vështirë. Por ne nuk jemi në një situatë aq të keqe pasi një gol i yni do të vlejë dyfish”, ka vazhduar Bubalo.
Pritet që Partizani para tifozëve të tij të luajë në mënyrë të njejtë si në stadiumin “Pecara”, ndoshta duke tentuar më shumë në sulm.
“Unë do të doja që ata të sulmonin, por besoj që ata do të luajnë me kujdes e durim dhe do të presin rastin e tyre. Nuk besoj që fakti që luajnë në shtëpi do të luajë ndonjë rol të madh. Gjykimi do të jetë korrekt, prandaj gjithçka është e hapur. Nëse fitojnë do t’ua urojmë”, ka thënë Bubalo.
Skuadra e Shiroki Brijeg po përmirëson lojën e saj çdo ditë, dhe Bubalo është i bindur se dy miqësoret para përballjes me Partizanin do t’i ndihmojë shumë skuadrës. Pas fitores 5-2 ndaj skuadrës së kategorisë së dytë kroate Hrvatski Dragovoljac, të shtunën ata presin edhe boshnjakët e skuadrës GOSK.
“Sigurisht që këto dy ndeshje do të jenë shumë të vlefshme pasi na ndihmojnë që të komponohemi si ekip. Megjithatë kemi shumë lojtarë të rinj në skuadër dhe kjo gjë nuk është e lehtë”.
Shiroki - Hrvatski Dragovoljac 5:2
Nëse është për t’u gjykuar paraqitja e Shiroki Brijeg në miqësoren e fundit atëherë futbollistët dhe tifozët e Partizanit kanë arsye për t’u shqetësuar. Skuadra e Ivan Kataliniç ka shënuar fitore me rezultatin e thellë 5-2 në miqësoren përballë Hrvatski Dragovoljac. Pesë gola të shënuar në portën e skuadrës nga Zagrebi që luan në kategorinë e dytë kroate tregojnë se sulmuesit e Shiroki Brijeg janë në formë të mirë. Braziliani Wagner dhe Shiliç kanë shënuar dopietë për skudrën e Shiroki, ndërsa Stanko Bubalo ka shënuar me penallti golin tjetër.
Gjithsesi fakti që mbrojtja e Shirokit ka pësuar përsëri dy gola lë hapësirë për optimizëm. Mediat boshnjake kanë kritikuar gjatë gjithë kësaj kohe repartin e mbrojtjes së Shiroki Brijeg.
Miqësoren e radhës kundërshtari i Partizanit do ta zhvillojë të shtunën dhe përballë do të ketë skuadrën boshnjake GOSK. .
24 Korrik 2008
Partizani.Net 12/2003 - 12/2009 ::: Webmaster: Eni Zejnati ::: Unofficial Site