| |
|
| Nesër derbi i tretë në 10 ditë |
| |
|
| nga Albania-Sport |
|
| |
|
| 04.03.2008 |
|
| |
|
|
Dy pretedentet e mëdha për titullin e Kampionatit të 69-të Kombëtar, Dinamo e Partizani, do të përballen me njëra tjetrën të mërkurën (në “Selman Stërmasi”, ora 15:00) në çerekfinalen e parë të Kupës së Shqipërisë.
Një sfidë tërheqëse, që pas takimit të kthimit, më 12 mars, do të largojë detyrimisht ose rekordmenët e Kupës së Shqipërisë, Partizanin (15 trofe) ose Dinamon (13 herë fituese).
Një finale e parakohshme midis dy ekipeve më të mira për momentin, aq më tepër kur të “Kuqtë” vinë në përballjen me “Blutë” pas fitoreve në kampionat me dy rivalët e përjetshëm kryeqyetas.
Partizani, që e ka fituar për herë të fundit Kupën e Shqipërisë pikërisht kundër Dinamos në edicioni 2003-2004, ndodhet në kampionat tre pikë larg formacionit të Ilir Dajës kur kanë mbetur në lojë edhe 33 pikë nga përfundimi i sezonit.
Dy ekipet do të përballen midis tyre në javën e fundit të kampionatit dhe gjasat janë se do të jetë pikërisht ai takim i javës së 33-të që do të japë verdiktin edhe për emrin e kampioni të ri.
Në fakt, asnjë nga drejtuesit e lartë të dy klubeve, nuk e dëshironte këtë përballje në këtë fazë të hershme të Kupës së Shqipërisë, por fati i vendosi si pasojë e renditjeve të sezonit të kaluar në kampionat.
Partizani, 44 herë çerekfinalist, synon pjesëmarrjen për herë të 32 në gjysmëfinale, por të njëjtin synim ka dhe Dinamo (42 herë çerekfinaliste), që për objektiv ka pjesëmarrjen për herë të 30-të në gjysmëfinale dhe synimin e Kupës së 14-të, që i mungon prej pesë vjetësh, qysh nga edicioni 2002-2003.
Të dy skuadrat janë në lojë për titullin kampion pasi janë shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit më të afërt: Vllaznia e Besa.
Në Kupën e Shqipërisë, llogaritë janë krejt të ndryshme, kur për trofeun e 56-të luftojnë edhe gjashtë ekipe të tjera, përfshirë kampionen në fuqi (Tiranën) dhe fituesen në fuqi të Kupës (Besën).
Partizani është edhe skuadra me më shumë trofe: 15. Tirana dhe Dinamo kanë fituar nga 13 të tilla, Vllaznia 5, Teuta 3, Elbasani 2, Flamurtari 2, Apolonia 1, Besa 1, që është dhe fituesja e fundit e Kupës së Shqipërisë.
Tirana, edhe pse ndodhet në krizë besimi, do të ketë një përballje të lehtë kundër një Kastrioti (befasues me elimimin e Flamurtarit), dhe që është rikthyer sërish në duart e trajnerit Ramazan Ndreu pas dorëheqjes së Vasil Bicit.
Bardheblutë, 13-herë fitues të Kupës së Shqipërisë ( e fundit në vitin 2006), janë fokosuar tërësisht në fitimin e këtij trofeu pas dorëzimit në kampionat.
Besa, fituesja në fuqi do të përballet në Kavajë pikërisht me skaudrën që e mundi katër ditë më parë, Vllazninë. Elbasani, pas atij kualifilimi dramatik me Shkumbinin dhe “relaksit” me Besëlidhjen e ka karikuar plotësisht veten kundër Teutës.
Të gjitha këto skuadra, me përjashtim të Kastriotit, e shohin trofeun e dytë më të rëndësishëm në Shqipëri e shohin si të vetmen portë të sigurt për të dalë në brigjet europiane.
Dinamo - Partizani, ballë për ballë
PARTIZANI: 54 pjesëmarrje, 44 herë në çerekfinale, 31 herë në gjysmëfinale, 23 herë në finale, 15 herë fituese.
DINAMO: 50 pjesëmarrje, 42 herë në çerekfinale, 29 herë në gjysmëfinale, 18 herë në finale, 13 herë fituese.
Ndërkombëtari Jareci, gjyqtari kryesor
Gjyqtarii shqiptar me stemën e FIFA-s, Sokol Jareci, do të gjykojë takimin Dinamo - Partizani, e konsideruar edhe si sfida më e nxehtë të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë, nisur edhe nga fakti se të dyja skuadrat kryesojnë me meritë kampionatin, me një Dinamo që pas përfundimit të fazës së dytë ndodhet me tri pikë më shumë se formacioni i “kuq”.
Në përballjen e fundit në kampionat Partizani fitoi 1-0 me Dinamon, që solli edhe shkarkimin e trajnerit Agim Canaj. Takimi kundër Partizanit është edhe testi i parë serioz për pasuesin Ilir Daja, duke e konsideruar si të nivelit mesatar përballjen e “bluve” me Shkumbinin. .
04 Mars 2008 |
|